Tiranë, 24 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Prokuroria e Përgjithshme nuk ka dërguar në gjykatë për vlerësim mase sigurie asnjë nga gjashtë urdhër ndalimet që preu parmbrëmë ndaj trupës drejtuese të Gardës së Republikës dhe dy ushtarëve të thjeshtë.
Lajmi konfirmohet për agjencinë NOA nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme të cilat sqaruan se kanë kërkuar nga Policia e Shtetit arrestimin e Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi dhe pesë drejtues të tjerë të Gardës së Republikës që kishin detyrë mbrojtjen e godinës së Kryeministrisë gjatë datës 21 janar, por këto kërkesa nuk janë dërguar për ekzekutim në gjykatë dhe as është kërkuar nga gjykata vlerësimi i ligjshmërisë së këtyre urdhër-ndalimeve.
Burime nga Prokuroria thanë për Agjencinë e Lajmeve NOA se nuk janë prerë fletë-arreste gjatë ditës së shtunë, por urdhër-ndalime, por Policia e Shtetit nuk po vepron për ndalimin e të gjashtëve.
Veç Komandantit të Gardës së Republikës, urdhër-ndalime janë prerë dhe për Zëvendësin e tij, Alfred Ahmetaj dhe personat që janë drejtues të njësisë operacionale të Gardës së Republikës, Dashamir Shehu, Shef i Njësisë Operacionale nr. 2 dhe Fran Prenga, Drejtor i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.
Ndërkohë që ende nuk janë bërë publike emrat e dy efektivave të tjerë të Gardës për të cilët është lëshuar urdhër ndalimi.
Vendimi i Prokurorisë është marrë të shtunën, në bazë të hetimeve që janë kryer dhe bazuar mbi dyshimet se personat e mësipërm janë të përfshirë në ngjarjen e 21 janarit. Ndaj urdhër-ndalimet i janë dërguar për ekzekutim Policisë së Shtetit, si procedurë rutinë. Prokuroria deklaron se qëllimi i urdhër-ndalimeve është që të sqarojë pozicionin e të dyshuarve në pasojat e ngjarjes së 21 janarit.
Kurse mazhoranca thotë se pas demonstratës që ishte grusht shteti opozitar, Prokuroria e Përgjithshme synon të paralizojë Gardën e cila është organi i vetëm mbrojtës me ligj i institucioneve, përfshirë Kryeministrinë që u sulmua të premten, dhe titullarin e saj.
e.t/NOA