English

Rama: Demonstratë homazh për ata që vrau pushka e Gardës Republikane

Tiranë, 24 janar 2011, NOA Update - Retorika fashiste e Saliut ndaj opozitës nuk çudit askënd dhe nuk tremb as pulat në Viçidol, jo më popullin opozitar. Ndërsa retorika fashiste e presioni i paligjshëm ndaj institucioneve të Prokurorisë së Përgjithshme e Shish-it, që ky satrap i marrë e i marrë fund nuk ka arritur dot t’i fusë nën sqetullën e qelbur të regjimit të kusarisë, për të përndjekur pastaj çdo qelizë opozitarizmi në Shqipëri, si edhe kërcënimet mafioze, në kor, për Prokuroren e Përgjithshme, tregojnë sesa e drejtë është beteja jonë për shpëtimin e demokracisë në Shqipëri dhe sesa të fuqishme janë arsyet që të premten 28 janar demonstrata homazh të dëshmojë papërkulshmërinë tonë në këtë betejë. Duke e cilësuar kryeministrin Berisha një satrap të marrë fund, Kryetari i Opozitës Edi Rama deklaroi në drekë në konferencën e posaçme për shtyp se “Kur Policia e Shtetit nuk i përgjigjet kërkesave detyruese të organeve të drejtësisë po urdhrave të pushtetit, vendi nuk është në demokraci, po nën një regjim që bota demokratike nuk mund ta njohë si mik e partner, Europa e Bashkuar nuk mund ta pranojë si një qeveri demokratike, populli nuk mund ta mbajë në kurriz si një fakt të kryer me pushkët e Gardës Republikane”. Andaj ai thirri të premten në 28 janar një demonstratë homazh për të vrarët nga dora barbare e regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut. Sipas Ramës, të premten në 28 janar do të nderohen të vrarët në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe para syve të mbarë botës, që sipas tij do të jenë fiksuar mbi protestuesit që Rama tha se “do të dëshmojmë qytetarinë e vendosmërinë tonë”. “Të premten 28 janar, kur bëhen të shtatat shqiptare, që sipas traditës janë dita e rënkimit të fundit për jetën që iku dhe e frymëmarrjes së re për jetën që vazhdon, ne do të jemi të gjithë në bulevard për ata të tre që s’do mund të jenë më aty, për Shqipërinë Europiane, për çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi, për fëmijët e çdo shqiptari pa dallim”, deklaroi Rama nga selia rozë. Lidershipi i PS-së, nënvizoi se “Të premten 28 janar ne do t’i kundërvihemi dhunës vrastare të regjimit me fuqinë paqësore të një populli të tërë, të heshtur e kryelartë në nderim të dëshmorëve të kauzës së vet për një Shqipëri të çliruar prej kthetrave të kusarisë e matrapazllëkut të pushtetit që vrau jo për të mbrojtur shtetin e shqiptarëve, po për të mbrojtur postet e kusarëve”. Ai akuzoi rishtas mazhorancën qeverisëse se për postet e kusarëve u formalizua edhe grushti i shtetit ndaj Prokurorisë së Republikës në fillim e pastaj edhe ndaj Shërbimit Informativ Shqiptar, duke e kthyer hapur Policinë e Shtetit në zbatuese të urdhrave të paligjshëm të pushtetit, që sikundër Rama tha, ekzekutorët e vrasjeve i quan heronj dhe prokurorinë që kërkon ndalimin e tyre, e quan pjesëmarrëse në grusht shteti. Ai apeloi më tej se “Në 28 janar demonstrata homazh do të dëshmojë me dinjitet kombëtar dhe qytetari europiane, para mbarë botës, e cila na sheh këto ditë të rënda prej objektivit të kamerave të të gjitha stacioneve televizive të planetit, se një popull i tërë mes Europës vritet, plagoset, rrihet, arrestohet, dhunohet psikologjikisht për të ulur kokën e pranuar një mbretëri të pashpallur kusarësh e matrapazësh”. Ai rishtas akuzoi se ekzekutorët e vrasjeve janë strehuar në sqetullën e pushtetit antidemokratik dhe mbrohen nga Policia e Shtetit që nuk zbaton urdhrat detyrues të organit kushtetues të akuzës. “Prandaj në 28 janar, me demonstratën homazh ne do t’i kundërvëmë dhunës shtetërore fuqinë paqësore të vizionit tonë europian, të qenies sonë europiane, të së ardhmes europiane të këtij vendi që nuk mund të vonohet me dhunë qeveritare e me kërcënime qeveritarësh, me marrje peng të parlamentit e të institucioneve të shtetit të të gjithëve për llogari të pushtetit të disave”, theksoi kryesocialisti Rama, i cili e mbylli deklaratën e tij me fjalinë: “Le ta përgatisim 28 janarin me lutjen për shpirtin e atyre që i vrau dora e krimit shtetëror dhe me besimin e patundur tek fuqia e rezistencës paqësore”. mit/NOA

KOMENTE