English

Topi: Urgjente, dialog politik për stabilitetin e vendit

Tiranë, 24 janar 2011, NOA – Një ditë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë dhe parlamentit, dhe pas takimit me Kryetarin e Opozitës Edi Rama, Presidenti i Republikës, Bamir Topi bën thirrje për vendosjen urgjente të dialogut politik si një domosdoshmëri për qetësimin e situatës së tensionuar politike pas vrasjes së tre demonstruesve dhe për ruajtjen e stabilitetit të vendit. Zëdhësja e Presidentit, Mimoza Koçiu ka zbardhur takimin Topi-Rama, ku nënvizohet se kreu i shtetit i shprehu liderit të opozitës shqetësimin e madh për gjendjen e tensionuar në vend.

“Në situatën e krijuar bëhet mëse e domosdoshme vendosja e dialogut politik institucional si mjaft e rëndësishme për stabilitetin e vendit, rendin publik, jetën e qytetarëve dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, tha zonja Koçiu në emër të Presidentit Topi. Kryetari i Shtetit theksoi se është nevojë urgjente mbizotërimi i maturisë e dialogut, tha ajo.

Sipas Koçiut, zoti Topi kërkoi nga të gjithë faktorët e aktorët politikë të gjejnë vullnetin e duhur dhe të përmbushin përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre, duke vënë mbi interesat vetjake ato të vendit dhe të popullit shqiptar.

“Në këto momente, më shumë se asnjëherë tjetër na duhet qetësi, maturi dhe përgjegjësi politike dhe individuale, për t’i lënë kohën dhe hapësirën e nevojshme funksionimit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve të pavarura ligjore të tij”, shprehet më tej Presidenti Topi.

Presidenti theksoi më tej se institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm, ashtu sikurse është edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve.

“Në çdo rrethanë, e drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale!”, informoi zëdhësja e Presidentit.

Kryetari i Shtetit mbështeti zhvillimin e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional dhe transparent të ngjarjeve të datës 21 janar duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të zbatimit të ligjit.

“Vetëm shteti ligjor është garancia e një vendi demokratik dhe ai duhet të respektohet nga cilido!”, deklaroi në një konferencë për shtyp zëdhësja e Presidentit Topi.

Mbrëmjen e shkuar ishte Kryeministri Berisha që akuzoi jo vetëm Prokurorinë, por edhe SHISH-in dhe Presidentin e Republikës që kanë bashkëpunuar tok me Opozitën për puçin ndaj shtetit.

Kjo akuzë e fortë ndaj Kryetarit të Shtetit, i cili është i zgjedhuri i mazhorancës në këtë detyrë duket që ka vënë në mobilizim Presidentin Topi, të cilit sot nga Shoqëria Civile i është kërkuar edhe thirrje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e cila mblidhet për çështje të rëndësishme, një nga të cilat është edhe precipitimi i demonstratës së 21 janarit nga akte dhune në vrasjen e tre demonstruesve.

mit/NOA

KOMENTE