English

Zbulohet demonstrues tjetër me armë zjarri

Tiranë, 24 janar 2011 NOA – Një person tjetër i cili ishte i armatosur me armë zjarri të llojit pistoletë, është identifikuar mes turmës demonstruese të 21 janarit nga forcat e policisë së Tiranës.

Në një dalje për media para pak minutash, drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë tha se strukturat e Hetimit të Krimit duke hetuar mbi demonstratën e datës 21 Janar 2011, nga analiza që vazhdojnë t`i bëjnë ngjarjeve të ndodhura, informacioneve të grumbulluara dhe pamjeve filmike në këtë demonstratë, kanë bërë të mundur identifikimin e një shtetasi, i cili gjatë zhvillimit të protestës, ka qenë i armatosur me armë zjarri të Tipit Pistoletë, ne bulevardin “Deshmoret e Kombit” përballë godinës së Kryeministrisë,

Nga ana e Strukturave të Policisë, po punohet për identifikimin, dokumentimin ligjor dhe kapjen e këtij shtetasi, - tha zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë.

Dy ditë më parë u identifikua i pari me pistoletë, Gjin Ndreu, por ai sot u la për ndjekje penale në liri nga gjykata e Tiranës.

Më herët sot, nga shërbimet e Komisariatit të Policise Nr.3, u komunikua ndalimi i Ani Muharrem Byku, 26 vjeç, lindur e banues në Tiranë.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë për këtë shtetas ka lëshuar urdhrin e ndalimit të datës 23.01.2011, pasi akuzohet se me datë 21.01.2011, nga ora 14.00 -19.00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka goditur për shkak të detyrës punonjësit e policisë.

Për veprime të mëtejshme materialet i kaluan Prokurorisë nën akuzën e kryerjes së veprës penale të parashikuar nga Neni 237 i Kodit Penal.

Po këto shërbime, rreth orës 09.00, arrestuan në flagrancë Ymer Bajram Murati, 47 vjeç, lindur në Burrel dhe banues Tiranë.

Ky akuzohet se me date 21.01.2011, nga ora 14.00 -19.00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka goditur me mjete të forta për shkak të detyrës punonjësit e policisë të Komisariatit nr.3. Materialet e parashikuara nga Neni 237 i Kodit Penal i kaluan Prokurorisë.

e.r/NOA

KOMENTE