English

Berisha: Demonstrata, njerëz të infiltruar nga jashtë

Tiranë, 24 Janar 2011 NOA – Në demonstratën e 21 janarit kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë njerëz të infiltruar nga një shtet tjetër, deklaroi para pak çastesh, kryeministri Sali Berisha.

Pohimi i Berishës u bë në një takim me gjeneralët në Ministrinë e Mbrojtjes.

Shefi i Qeverisë tha edhe se në këtë demonstratë të dhunshme të 21 janarit, morën pjesë dhe shpërthyen në trazira, njerëz të droguar dhe njerëz të paguar.

Kurse theksoi se në demonstratë kanë marrë pjesë edhe njerëz të infiltruar nga një vend tjetër, por kjo është pjesë e hetimit dhe është duke u hetuar.

Deklarata e fortë e kreut të qeverisë vjen ndërkohë që në opinionin publik po i mëshohet shumë faktit se trazirat në Shqipëri erdhën në vigjilje të mbledhjes së Këshillit të Evropës.

në këtë mbledhje që po kryhet, Dik Marti po mbron raportin e tij ku pretendohet në mënyrë abuzive se shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë përfshirë në trafik organesh të shtetasve serbë.

Më herët Kryeministri priti sot në zyrën e tij oficerin e Policisë së Shtetit Amaraldo Izeiri, i cili në 21 janar ngriti nga toka dhe mbajti lart flamurin shqiptar, pasi elementë kriminalë e hodhën nën këmbët e tij, duke e përdorur si një mjet goditës ndaj forcave të policisë në mbrojtje të selisë së Këshillit të Ministrave.

Kryeministri i shprehu në prani edhe të medias oficerit Izeiri mirënjohjen për këtë akt: “Oficeri i policisë Amaraldo Izeirin, ish anëtar i njësive tona ushtarake që luftuan në Irak, u bë simboli më i shkëlqyer i mbrojtësve të rendit kushtetues, mbrojtësve të institucioneve kushtetuese të vendit. Në një moment të caktuar, një horr, rrugaç e bandit, që flamurin kombëtar e kishte për leckë, ia vërviti tek këmbët. Amaraldo, krahas mburojës, u ul, mori flamurin dhe ju i keni parë të gjithë pamjet jashtëzakonisht emocionuese. Flamuri i kombit nuk mund të ishte kurrë as për Amaraldon dhe për asnjë shqiptar një leckë që të flakej në rrugë. Flamuri i kombit shqiptar është flamuri më i bukur, por është edhe flamuri kombëtar shtetëror më i vjetër në Europë, është flamuri kombëtar, në të cilin prehen martirët e këtij kombi, nga koha e Skënderbeut gjer më sot, është flamuri, në të cilin prehen të gjithë ata që kanë luftuar dhe rënë për liri e dinjitet njerëzor, flamuri ku prehen luftëtarët e lirisë që çliruan Kosovën me Aleancën e Atlantikut të Veriut, është flamuri, që në dallim nga kombe të tjera, edhe himnin e kombit e ka të qëndisur rreth tij dhe betimin solemn e ka mbi të”.

e.r/NOA

KOMENTE