English

Berisha-Imami: Puçit do i shtypet koka aty ku të lindë

Tiranë, 25 janar 2011, NOA- Ditën e sotme Kryeministri i vendit Sali Berisha, në prani të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, zhvilloi një takim informues me lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Foracave të Armatosura, mbi zhvillimet më të fundit politike në vend.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha sqaroi për të pranishmit se, situata në vend është normale dhe i garantoi se, rendi kushtetues dhe rendi publik janë të pacenueshëm nga askush.

Ndaj sipas tij, Forcat e Armatosura duhet të vazhdojnë të qeta përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese jashtë dhe brenda vendit, pa as më të voglin shqetësim.

Më tej kreu i qeverisë i njohu ata edhe me situatën në vend, duke thënë se për këtë nuk duhet të kenë asnjë shqetësim.

Më pas, kryeministri Berisha sqaroi se edhe pse pati sugjerime të ndryshme për angazhimin e FA-ve në ruajtjen e institucioneve, ai në asnjë mënyrë dhe për asnjë çast nuk i shqyrtoi këto sugjerime, pasi vendi dhe qeveria kanë të gjitha mjetet dhe format për të garantuar rendin kushtetues, atë publik dhe institucionet.

“Ne jemi vend anëtar i NATO-s. E kam theksuar dhe theksoj se këtë vend nuk mund ta pushtojë kurrë kush më nga jashtë dhe institucionet e tij nuk mund t’ i marrë kush kurrë nga brenda”, u shpreh Berisha.

Ndër të tjera Kryeministri tha se, ekzistojnë të gjitha potencialet e tjera që ju të përmbushni detyrat tuaja të përditshme dhe puçit ti shtypet koka aty ky të lindë, pa asnjë nevojë për ndërhyrje më të shumta sesa ato të linjës së parë që e mbrojtën Kryeministrinë me 21 janar dhe që do të mbrojnë çdo institucion në çdo kohë.

Ndërsa, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, pasi falënderoi Kryeministrin për këtë takim informues u shpreh: “Zoti Kryeministër, dua t'ju siguroj për një gjë: një nga sektorët më të përparuara të shoqërisë sonë sot janë Forcat e Armatosura. Forcat tona të Armatosura janë kontribuese në një aleancë, e cila është mbështetur në vlerat e lirisë dhe demokracisë, në vlerën e votës së lire, për të cilën shqiptarët kanë luftuar, kanë derdhur gjak dhe kanë bërë çdo sakrificë në këto 20 vjet që ta sigurojnë. Prishja e një palë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është e barabarte si të bësh një palë zgjedhje të këqija dhe të pandershme. Është interesi i kësaj shoqërie, padyshim është dhe i FA-ve që zgjedhjet e lira të zhvillohen dhe të mbrohen edhe në Shqipëri. Kështu që padyshim, të gjithë ne jemi të interesuar për këtë gjë”.

a.y/NOA

KOMENTE