Tiranë, 25 janar 2011, NOA- Deputetja e Partisë Socialiste Eglantina Gjermeni dhe tre qytetarë kanë dënuar sot dhunën e ushtruar nga policia gjatë dhe pas demonstratës së 21 janarit. Deputetja Gjermeni akuzoi kryeministrin Berisha për dhunën ndaj protestuesve dhe veçanërisht ndaj grave. Nga ana e tyre demonstruesit tregojnë momentet e para të dhunës policore ndërsa shprehen se nuk do ta harrojnë dhunën në komisariatet e Tiranës përgjatë këtyre katër ditëve që janë mbajtur aty. Gjatë fjlës së saj deputetja Gjermeni theksoi se, “Dua të denoncoj sot dhunën e ushtruar nga policia e qeverisë së Sali Berishës, ndaj njerëzve të paarmatosur. Ndaj njerëzve të cilët u dhunuan në shesh, po kështu edhe gjatë qëndrimit në rajonin e policisë. Po kështu të gjithë kemi parë si janë vrarë nga garda njerëz të cilët nuk po bënin asgjë, nuk kishin asgjë në dorë dhe për më tepër nuk kishin thyer apo dhunuar institucionet.” Njëri nga tre qytetarët i cili denoncoi dhunën, Arben Kaçorri u shpreh se, “Ata na kanë pritur dhe na kanë dhunuar që në momentet e para. Na kanë mbajtur tre orë në fugon të policisë, e kam të fiksuar dhe policin që na kanë mbajt, duke i thënë të më lëshonin. Më kanë tërhequr zvarrë për 30 metra, kamerat janë, Sali Berisha ti besojë kamerave. Në qoftë se nuk ju beson kamerave të Ilir Metës t’ju besojë kamerave që ka vënë vet”. Më tej Kaçorri theksoi se, në komisariatin nr.1 dhunë është ushtruar e paparë, sidomos kur dëgjonin ndonjë emër që apo faktin që ishin nga jugu. Krahas tij u prononcuan edhe dy persona të tjerë, mes tyre edhe një nënë e pesë fëmijëve. a.y/NOA