English

Haxhinasto: Italia, avokate e integrimit në BE

Itali, 25 janar, NOA - Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme,. Edmond Haxhinasto, deklaron se procesi i integrimit të vendit në BE, është axhenda kryesore e mazhorancës aktuale. Në një intervistë dhënë për radiotelevizionit italian, “RAI”, Haxhinasto shprehet se Italia është avokatja e parë e proceseve integruese të vendit në BE.

Cilat janë perspektivat e integrimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian pas miratimit të liberalizimit të vizave dhe shtyrjes së dhënies të statusit të vendit kandidat?

Integrimi evropian është prioriteti parësor i mazhorancës aktuale. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka treguar se është e aftë t’i përgjigjet këtyre kërkesave për t'u kualifikuar për një fazë të re në rrugën e integrimit evropian. Në mënyrë të veçantë, procesi që shoqëroi liberalizimin e vizave ka treguar se mund të realizohen të gjitha kërkesat teknike të nevojshme që mundësojnë avancimin në integrimin evropian të vendit.

Për sa kohë mendoni se do të konkretizohet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Integrimi në Bashkimin Evropian është një proces dhe ne tani jemi në fazën kur kemi paraqitur kërkesën tonë si vend kandidat, për të cilën do të shprehet përsëri Komisioni Evropian në fund të 2011. Sipas mendimit tonë, integrimi është një detyrë dhe një objektiv që duhet të arrihet për të gjithë Shqipërinë, shqiptarët, institucionet politike dhe të gjitha forcat politike. Është thelbësore që për të realizuar detyrimet e integrimit evropian të angazhohen të gjitha forcat politike dhe të gjitha institucionet. Për të marrë statusin e vendit kandidat, Shqipëria duhet të përmbushë 12 prioritetet e vendosura nga Komisioni Evropian. Qeveria aktuale është e angazhuar maksimalisht për të arritur këtë objektiv, por është e rëndësishme që të angazhohet edhe opozita.

Cili është niveli i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë?

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë të shkëlqyera. Vitin e kaluar, Shqipëria ka nënshkruar një dokument të Partneritetit Strategjik ndërmjet dy vendeve, i cili reflekton nivelin e lartë të këtyre marrëdhënieve. Italia është vendi që ka mbështetur Shqipërinë në momentet më të vështira, gjatë gjithë periudhës njëzetvjeçare të tranzicionit. Është e rëndësishme të vështrojmë realitetin e shkëmbimeve. Italia është investitori i parë në Shqipëri, donatori i tretë, por është, gjithashtu, një partner i rëndësishëm politik në procesin e integrimit të Shqipërisë. Ajo është avokatja jonë e parë që ka mbështetur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe ka pasur një rol të veçantë në procesin e liberalizimit të vizave. Kemi, gjithashtu, një bashkëpunim shumë të mirë politik, i cili do të forcohet si në nivelin dypalësh, ashtu dhe në nivelin shumëpalësh në kuadrin e organizatave ndërkombëtare.

Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë janë në rritje të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e energjisë.

Është e vërtetë që marrëdhëniet me Italinë, u referohem këtu marrëdhënieve ekonomike në sektorin e energjisë, kanë njohur një rritje. Ekziston një marrëveshje e vitit të kaluar për bashkëpunimin në këtë sektor, ndërsa kompanitë italiane janë të interesuara në sektorin e energjisë, në mënyrë të veçantë në sektorin e energjisë së rinovueshme. Gjithashtu, qeveria italiane nëpërmjet programeve të veçanta ofron asistencë ligjore për plotësimin e kuadrit ligjor për ta sjellë atë më afër kuadrit ligjor të Bashkimit Evropian dhe unë mund të them se energjia është një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit midis dy vendeve.

a.k/NOA

KOMENTE