English

Imami: Ushtria nuk do të dalë nga kazermat

Tiranë, 25 janar, NOA – Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka deklaruar sot se është e nevojshme që situata e krijuar më datën 21 janar të mbyllet sa më shpejt. Në takimin e zhvilluar me kryeministrin Sali Berisha dhe gjeneralët e Forcave të Armatosura, Imami ka dhënë garanci se ky institucion do të jetë në funksion të rolit të tij kushtetues.

Ai tha se Forcat e Armatosura nuk do të dalin nga bazat ushtarake. “Do të kryejmë gjithmonë misionin tonë kushtetues. Unë ua kam bërë të qartë kolegëve parlamentarë, ushtria nuk del jashtë kazermave, por nuk le njeri të hyj në kazermë. Ushtria nuk del nga Ministria e Mbrojtjes, por njeri i gjallë nuk hyn në Ministrinë e Mbrojtjes”, tha sot ministri i Mbrojtjes Arben Imami.

Prej disa ditësh në opinionin qytetar po qarkullojnë skenarë të ndryshëm, sipas të cilëve bëhet e ditur se Ministria e Mbrojtjes ka mobilizuar gjithë personelin e saj. Deklarata e ministrit të Mbrojtjes ka theksuar se ushtria nuk do të marrë kompetenca që nuk i takojnë asaj.

a.k/NOA

KOMENTE