English

KiE miraton raportin e Dick Martyt, Marty: Drejtësia të shërbejë si duhet

Strasburg, 25 janar 2011, NOA – Pas një seance të gjatë diskutimesh, Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës miratoi pak minuta më parë raportin e eurodeputetit zviceran Dick Marty, që akuzon liderët e UÇK-së për trafik organesh të robërve serbë në përfundim të konfliktit në Kosovë. Pas miratimit të raportit, vetë hartuesi i tij, senatori Marty në një konferencë për shtyp e mbrojti raportin e tij si mjaft të drejtë për të gjithë ata serbë që kanë humbur njerëzit e tyre nga trafiku i organeve.

Marty tha se “ai është me familjet e atyre që kanë humbur jetët e të dashurve të tyre nga ky trafik organesh”.

"Mendja ime është me njerëzit e zhdukur", tha hartuesi i raportit.

Senatori Marty deklaroi se është mjaft e rëndësishme që Prokurorët ndërkombëtarë të zbardhin këto ngjarje të errëta dhe të nxjerrin emrat e atyre që kanë kryer këtë trafik.

Ai theksoi se liderët e Kosovës dhe Shqipërisë e keqpëërdorën raportin tim.

“Ky raport në asnjë mënyrë, tha Marty nuk merret me statusin e Kosovës, por ky raport merret vetëm me shkeljet e të drejtave të njeriut”.

“Unë kam qenë shumë më specifik sa i përket hetimit për trafik organesh se ish-kryeprokurorja karla Del Ponte”, tha raportuesi Marty.

“Është e rëndë, tha ai, se këta persona janë keqtrajtuar dhe më pas janë vrarë, e nuk mund ta lejojmë këtë.

Ai theksoi sakaq se drejtësia duhet të shërbejë si duhet, pasi për krimet e ndodhura ende s’janë dhënë gjykime.

Përpara se raporti të miratohej deputeti shqiptar, Ilir Rusmali tha përballë eurodeputetëve se “shumë nga informatat që jep raporti janë konfidenciale, andaj ne kemi vendosur emrin e raportuesit si dëshmitar për informacionet”.

Sipas Rusmalit raporti ka qenë shumë kontrovers për opinionin shqiptar në Kosovë edhe në Shqipëri, dhe deri sa ai përmban brenda radhëve të tij kundërvënie, kundërshti, përgjegjësia i takon autorit të tij, që ta përmirësojë atë dhe të japë sa më shumë fakte dhe dëshmi.

“Akuzat nuk duhet që të keqpërdoren për dënime të padrejta dhe dënime kolektive të kombeve”, tha më herët Rusmali.

mit/NOA

KOMENTE