English

Majko: Berisha po implikon opinionin në një “puç shteti” të paqenë

Tiranë, 25 janar 2011, NOA Update – Ish-ministri i Mbrojtjes së qeverisë socialiste, Pandeli Majko deklaroi sot se vizitat e kryeministrit Berisha tek forcat e armatosura për të shprehur mbështetjen e tij ndaj tyre është një taktikë e gabuar dhe keqpërdor Forcat e Armatosura pasi sikundër tha Majko “është e pafalshme, antiligjore, antikushtetuese që nga posti i kryeministrit të kërkohet në një situatë krize politike të implikohen forcat e armatosura në qëndrimet e cilësdo qeveri ekzekutive në fuqi”. Deputeti i PS-së në një bashkëbisedim me mediat theksoi se “Kërkesa e kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes për t’i imponuar opinionit publik që për arsye të ndryshme ende ka rezerva lidhur me atë që ka ndodhur të premten e kaluar, se në Shqipëri ka ndodhur një grusht shteti apo puç kundër rendit kushtetues, unë mendoj se kryeministri është duke ecur në një rrugë të gabuar, një rrugë që për fat të keq e ka bërë një herë”, tha Majko.

Më tej mund të lexoni deklaratën e plotë të deputetit socialist Pandeli Majko.

Kam dalë sot këtu në emër të Partisë Socialiste me shqetësimin e të gjithë kolegëve parlamentarë lidhur me vizitat dhe me deklarimet e fundit të kryeministrit të Shqipërisë. Me shumë shqetësim sot dhe sidomos sot mendoj se vizita e kryeministrit aktual në detyrë Sali Berisha në Ministrinë e Mbrojtjes dhe kërkesa e tij për të orientuar një orientim politik të forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë është një vazhdim i gabuar në rrugën që ka nisur pas protestës së fundit të opozitës shqiptare. Mendoj se në forcat e armatosura një nga institucionet me të cilat sot qytetarët e Shqipërisë dhe taksapaguesit shqiptarë mund të krenohen për atë punë që është kryer nga ata dhe sidomos nga ata, e kam fjalën për oficerët e të gjithë gardave nga Forcat e Armatosura.

Mendoj se na takon të gjithëve sot të mbrojmë këtë aset dhe jo ta keqpërdorim atë. Nuk kam folur dje kur kryeministri së bashku me Ministrin e tij të Brendshëm mori takim me forcat e gardës dhe forcat e policisë.

Është normale në fund të fundit që një politikan të kontaktojë në pozitën e kryeministrit nga forcat e angazhuar në operacion gjatë protestës së kaluar, cilido qoftë pozicioni politik i kryeministrit të Shqipërisë është e pafalshme, antiligjore, antikushtetuese të kërkojë në një situatë krize politike të implikojë forcat e armatosura në qëndrimet e cilësdo qeveri ekzekutive në fuqi.

Mendoj se Shqipëria ka kaluar goxha eksperienca të hidhura kur për arsye të ndryshme politike ushtria është keqpërdorur. Sot për fat të keq në krye të tavolinës së Ministrisë së Mbrojtjes janë dy protagonistë si shembulli më ekzemplar, se në asnjë rast forcat e armatosura nuk duhet të keqpërdoren nga politika. Mendoj se politikanët për arsye të tyre të natyrave të ndryshme në kohë të ndryshme kanë problemet dh polarizimet përkatëse.

Mendoj se ajo që sot po kryhet në Shqipëri kërkon një mendje të ftohtë, gjakftohtësi, komunikim dhe mbi të gjitha gjetja e një zgjidhje e cila të jetë në radhë të parë në favor të qytetarëve dhe të qetësisë publike dhe pastaj në favor të interesave të atij që rri në zyrën e kryeministrit apo në një zyrë cilado qoftë kjo. Ecja me logjikën se në Shqipëri ka ndodhur një grusht shteti, puçi, mendoj se duhet të bëjnë të reflektojnë të gjithë ata që kanë mendje të ftohtë sot në Shqipëri.

Unë nuk kam dalë këtu të bëj debat politik lidhur me atë çka mendon kryeministri i Shqipërisë, është e drejta e tij ti vërë çfarë titulli të dojë asaj që zhvillohet përpara tij si një protestë paqësore e opozitës. Por ne nuk mund të shmangim logjika të cilat, siç e thashë edhe pak më parë, implikojnë institucione të tjera të cilat vënë në diskutim çështjen dhe arsyetimin për sigurimin kombëtar të Shqipërisë.

Implikimi i ushtrisë sot nga kryeministri i Shqipërisë është një akt i paprecedent dhe unë ftoj të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të tjera, ftoj Presidentin e Republikës, autoriteti i të cilit në bazë të kushtetutës dhe ligjit orientohet me Forcat e Armatosura të Shqipërisë nëpërmjet kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes.

Pra kujtoj se ai kryeministër dhe ai Ministër i Mbrojtjes sot janë përfaqësues të autoritetit të Presidentit të Republikës mbi forcat e armatosura.

Nëse sot do të kishim gjendje ashtu siç thotë kryeministrit të puçit apo të grushtit të shtetit unë mendoj se kryeministrit nuk duhet të shkonte as në gardë, as në polici, as tek Forcat e Armatosura për të mallkuar Prokuroren e Përgjithshme, Shërbimin Informativ Kombëtar apo institucione të tjera, por duhet të kërkonte me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Duhet të kërkonte me urgjencë mbledhjen e Komitetit të Sigurimit Kombëtar dhe mendoj se gjërat duhet të orientohen siç e thashë me gjakftohtësi. Kërkesa për t’i imponuar opinionit publik dhe sidomos opinionit që për arsye të ndryshme ende ka rezerva lidhur me atë që ka ndodhur të premten e kaluar, se në Shqipëri ka ndodhur një grusht shteti apo puç kundër rendit kushtetues unë mendoj se kryeministri është duke ecur në një rrugë të gabuar, një rrugë që për fat të keq e ka bërë një herë. E përsëris një rrugë që për fat të keq e ka bërë një herë.

Jam i bindur se cilido sot me mendje të ftohtë në forcat e rendit publik, në forcat e armatosura të gardë së republikës dhe sidomos në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk besoj dhe shpresoj që të kenë sy që të lexojnë Kushtetutën, të lexojnë legjislacionin dhe të mos shkojnë pas një historie e cila përveç të qenit një histori politike nuk është as histori kushtetuese, as histori grusht shteti apo histori të natyrave të tjera të cilat sot kryeministri aktual ende në detyrë në Republikën e Shqipërisë, vete majtas djathtas duke dashur t’i imponojë publikut shqiptar dhe ti implikojnë institucionet shqiptare në një histori të paqenë.

E përsëris edhe njëherë, kryeministri po përpiqet të imponojë në opinionin publik, por edhe të implikojë institucionet e sigurisë kombëtare në një histori të paqenë.

Sot duke parë takimin në Ministrinë e Mbrojtjes kërkesën për të implikuar Forcat e Armatosura, të cilat në bazë të Kushtetutës sigurojnë pavarësinë e vendit, mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues duke ruajtur asnjanësinë në çështjet politike, unë jam i bindur se sot çdo qytetar ka arsye të ndjehet krenar për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe jo të ndjehet i trembur për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE