English

Marty: Të mbrohen dëshmitarët, hetimi mundëson dënimin e krimeve

Strasburg, 25 janar 2011, NOA – Eurodeputeti zviceran Dick Marty në një konferencë për shtyp pas miratimit të raportit të tij nga Asambleja e Këshillit të Evropës deklaroi se Kryeministri i Kosovës në largim është i asociuar në një raport amerikan për krimin e organizuar, andaj sipas Martyt hetimi në fjalë bazuar mbi të dhënat e raportit të tij do të bënte që shumë njerëz të akuzuar të gjykohen më në fund dhe drejtësia të thotë fjalën e saj. Marty bëri me dije se do të jepen emrat e dëshmitarëve për nisjen e hetimit për akuzat për trafik organesh ndaj liderëve të UÇK-së.

Në këtë kontekst ai bëri thirrje për mbrojtjen e dëshmitarëve, pasi sikundër tha, gjatë konferencës, shumë syresh janë zhdukur.

Por, gjatë miratimit të raportit të Dick Martyt, i cili akuzon për përfshirje në trafik organesh të robërve serbë disa udhëheqës të UÇK-së, mes tyre kryeministrin Hashim Thaçi, janë hedhur poshtë shumica e amendamenteve të sjella nga pala shqiptare për raportin e Dick Martyt.

Mes amendamenteve, pala shqiptare kërkoi që fjalët prova dhe fakte në raportin e Dick Martyt të zëvendësohen me dyshime e hamendësime.

Raporti i senatorit zviceran u miratua nga shumica e eurodeputetëve.

Miratimi i raportit të eurodeputetit Dick Marty i hap rrugën tashmë një hetimi ndërkombëtar mbi akuzat për trafik organesh, akuza që sipas Martyt ende nuk janë gjykuar nga drejtësia ndërkombëtare, dhe që sipas tij do të qetësonin dhe do t’i jepnin një ngjyrë të re bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë.

mit/NOA

KOMENTE