Londër, 25 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Shërbimi Botëror i BBC-së ka njoftuar se do të mbyllë shërbimet në pesë gjuhë - maqedonisht, portugalisht për Afrikën, serbisht, dhe shqip; si edhe shërbimin në anglisht për rajonin e Karaibeve.
Lala Najafova, nga Zyra e Shtypit të Shërbimit Botëror të BBC-së, në një prononcim dërguar për agjencinë NOA tha sot se kjo është pjesë e reagimit të tij ndaj shkurtimit në financimin e tij në formë Granti nga Ministria e Jashtme (Foreign & Commonwealth Office) e Mbretërisë së Bashkuar. Ky shkurtim është pjesë e një ristrukturimi të Shërbimit Botëror të BBC-së për të plotësuar objektivin prej 16 përqind në kursime që u njoftua gjatë Rishikimit të Shpenzimeve nga qeveria më 20 tetor të vitit të shkuar.
Sakaq, Drejtori i Lajmeve Globale të BBC-së Peter Horrocks tha: "Këto mbyllje nuk janë pasqyrim i punës së shërbimeve apo programeve individuale. Ato janë jashtëzakonisht shumë të rëndësishme për audiencat e tyre dhe për BBC-në.
"Kjo ndodh thjesht sepse duhet të bëhen kursime për shkak të shkallës së shkurtimeve në financimin nga Granti për Shërbimin Botëror të BBC-së nga Ministria e Jashtme e Mbretësirë së Bashkuar dhe ne duhet të përqëndrojmë përpjekjet tona në gjuhët ku ekziston nevoja më e madhe dhe ku ne kemi ndikimin më të madh."
Shërbimi Botëror i BBC-së tha se nuk do të konfirmojë hollësi të mëtejshme sonte para se të njoftohet stafi i tij. Megjithatë informacione të mëtejshme do të konfirmohen nesër në një konferencë shtypi.
Mbyllja e BBC Shqip padyshim është një lajm i keq për vetë faktin se humbasim një media informuese shqip nga më seriozet dhe më me reputacion në botë.
e.t/NOA