English

Mbyllet dhe “Albania”, shpërndahet numri i fundit falas

Tiranë, 25 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana – E përditshmja “Albania”, pas afro 15 vjetësh që dilte në tregun e gazetave shqiptare, sot doli me numrin e saj të fundit të cilin e shpërndau falas për lexuesit.

Albania gjendej prej një dekade e gjysmë në morinë e gazetave shqiptare dhe kishte krijuar lexuesin e saj.

Mbyllja e një medie sigurisht është lajm i keq për lirinë e medias në Shqipëri. Për më tepër, kur mbyllja vjen nga ngacmimet e shtetit përmes organeve tatimore, të cilat sikundër pohon në editorialin e tij të mëposhtëm botuesi i parë dhe drejtori i derisotëm Ylli Rakipi, bënë sa mundën që të frenohej dalja e “Albania”-s.

Pse gazeta “Albania” mbyllet sot? Para pak kohësh, dy inspektorë të zyrës së Tatim-Taksave, Petrika Bardhi dhe Bujar Qoshja, trokitën në derën e redaksisë së gazetës “Albania” për një kontroll tatimor. Redaksia e “Albania”-s, me shumë mirësjellje, iu japi dyert duke iu krijuar të gjitha kushtet dhe hapësirat që inspektorët të bënin punën e tyre. Dhe kështu ndodhi. Pas kontrollit, Zyra e Tatim-Taksave përpiloi raportin përfundimtar duke i dorëzuar, sipas ligjit, një kopje edhe gazetës “Albania”. Deri këtu gjithçka shkoi normalisht. Për shkeljet e konstatuara gazeta mori gjobën përkatëse duke e njohur plotësisht atë. Por,... pikërisht këtu fillon e çuditshmja. Një muaj më pas, inspektorët që kryen kontrollin u paditën dhe u dënuan nga një komision disiplinor për MOSTHELLIM gjatë kontrollit në gazetë. Në Shqipëri gazetat nuk janë objekt TVSH-je dhe, kuptohet sa i thjeshtë është një kontroll mbi një subjekt të tillë. Por, inspektorët u dënuan pasi nuk ishin thelluar dhe në dyert Gazetës “Albania” është dyndur një tjetër inspektor me urdhër të ri kontrolli për rikontroll. Quhet Sefedin Muça. Kuptohet thjesht, me këtë veprim, në këto kushte, pse vjen ky rikontroll dhe ç’mision do të realizojë, pas dënimit të dy të parëve. Në këto kushte, gazeta “Albania” njofton sot mbylljen e saj. Redaksia e gazetës falënderon lexuesit e saj për interesin e treguar në këto 15 vjet të jetës së saj. Njëkohësisht i kërkon këtij lexuesi falje dhe ndjesë për shqetësimin dhe zhgënjimin që hera-herës i ka sjellë. Redaksia e gazetës “Albania” 25 Janar 2011

Bisedë me Inspektorin Sefedin M. Nga Ylli Rakipi

Quhet Sefedin M. Është nga Librazhdi, rreth 55 vjeç, një e gjashtëdhjetë i gjatë, i ngadaltë dhe fjalëpak. - Erdhe? - i them unë, - si për t’u gjendur në bisedë. - Po, - thotë ai dhe më lëshon në dorë njoftimin e kontrollit tatimor. - Kur ke ardhur në Tiranë? - e pyes në mënyrë gati të pakuptimtë. - Tani, - përgjigjet inspektori Sefedin M. – Ka kohë që kam dashur të vij. U vonova ca, por tani ja ku jam këtu. Po ç’rëndësi ka? Kjo botë kështu është... Vemë e vijmë. E ç’rëndësi ka koha?! - Ka Sefedin, - i them, - ka shumë rëndësi. Sa më vonë të kesh mbërritur, aq më shumë i ke borxh atij që të ka sjellë. - Po një kontroll është, - thotë Sefedin M. dhe s’di ku t’i fshehë duart. - E di Sefedin, por sapo ka përfunduar një kontroll dhe dy kolegët e tu u dënuan pasi nuk ishin THELLUAR gjatë ushtrimit të kontrollit. - Ç’të të them? - thotë Sefedini, që vërtet s’di ç’të thotë. Nga pamja kuptoj që nuk i ka ardhur aspak mirë që kanë dërguar pikërisht atë. - Kot merakosesh, - i them, - po të mos ishe ti, do të vinte dikush tjetër. Gjithmonë është dikush që vjen, Sefedin. Vjen pa zhurmë, ja kështu si ti. Thonë që kështu vjen dhe vdekja... - E kush vdes këtu?! - pyet i habitur inspektori Sefedin M. - Gazeta inspektor... Se dhe një gazetë mund të vdesë. Kjo gazetë, për shembull, ka lindur 15 vjet më parë. Ka pasur lindje me fat Sefedin. Lindje madhështore. Emrin ia morëm një njeriu të shquar që ka vdekur 100 vjet më parë. Faik Bej Konica quhet. Ke dëgjuar besoj... Gjithmonë jemi përpjekur të marrim famën e të vdekurve të mëdhenj, Sefedin. U kemi vjedhur famën për ta përdorur për vete... Gjithmonë kështu ndodh në këtë vend. - Kjo gazetë lindi nga njerëz të fuqishëm, inspektor. Gjithë shteti i atëhershëm. Lindje e zhurmshme. Ishte koha kur shteti po ndërtonte koracën e vet. Unë u bëra drejtor i saj... Po a drejtova dot? Ja, si thua ti Sefedin? - Ç’të them?! - thotë Sefedini dhe ngre supet. - S’ke ç’thua. Ti ke ardhur shumë vonë në Tiranë. Nuk ke si ta dish historinë e saj. Kur lindi, por edhe më pas, po t’i dilje përpara, ajo të hante Sefedin. Ku kishte inspektor që t’i dilte përpara... Inspektor jo e jo, por edhe ministrat mund t’i gëlltiste në çast. E Sefedin, ti ishe atëherë... - Ç’m’i thua mua këto? Unë një copë inspektor jam. - S’kam kujt t’ia them, Sefedin. Askush s’dëgjon. Ti erdhe në fund, ty po t’i them. Vazhdo formalitetet! Të thashë, në lindje kanë qenë shumë. Ndërsa në vdekje vetëm unë dhe ti. Mos u mërzit. Vetëm ne të dy, drejtori dhe inspektori, duhet ta kryejmë këtë formalitet. Është detyrë, Sefedin, duhet ta ekzekutojmë. - Ç’thua kështu, drejtor?! S’jam unë për këto biseda. - Formalisht, Sefedin. Ti je i dërguari dhe tani je njeriu më i rëndësishëm në vdekjen e saj. - Si mund të vdesë një gazetë drejtor?! - habitet Sefedin M. - Vdes Sefedin. Gazeta është si një gjë e gjallë: në fillim vdesin shkronjat, letra, era e bojës, zhurmat, që nga redaksia e deri te prodhimi. Ndonjëherë vdekja e sendeve është më e trishtë se vdekja e të gjallëve. Pas kësaj, Sefedin, vjen një vdekje tjetër, që ti si inspektor nuk e dallon dot. Diçka vdes edhe te ata që e krijuan. Se krijuesit, siç të thashë, janë shumë, Sefedin. Pjesa kryesore e tyre janë po në pushtetin e madh. Si ka mundësi, thua ti me vete, Sefedin. E kanë lindur të mëdhenjtë dhe e vras unë?! - Kështu ka qenë gjithmonë, inspektor. Ata janë caktuar të jenë vetëm në lindje. Në vdekje je vetëm ti dhe unë... - Mos më ngatërro drejtor. Ma bëre mendjen dhallë...! Ç’lidhje kam unë me të mëdhenjtë?! - Ke Sefedin. Mos harro, të thashë që t’i je i dërguari i fundit. Formalisht ti je ekzekutori. Je, si të thuash, i fundit i Procesit. Si te Franc Kafka. Ke dëgjuar për Kafkën ti Sefedin? - Mos është ai që përmendi kryeministri në mitingun e Beratit para ca ditësh. Ka shkruar libra për dënime pa fakte dhe grupfakte, - tha Sefedini, sikur t’i kishte ardhur goja për herë të parë. – Po mirë, meqë ra fjala, drejtor, ku jeton tani ky njeri? - Nuk jeton Sefedin. Ka vdekur 85 vjet më parë. Por letrat që ka shkruar i ka dhe për sot. Na duhet shumë ne të gjallëve ky Kafka, Sefedin. Na duhet që ta përdorim sa herë kemi procese. Ja për shembull, ai e ka ditur që ti Sefedin M., 55 vjeç, nga Librazhdi, ardhur në Tiranë tani vonë, do të vije sot te gazeta dhe do të kryeje aktin e fundit. - Cilin akt drejtor?! Ky një kontroll është...! - Ashtu duket Sefedin, si kontroll... Por ti je i fundit i Procesit, si te Kafka... - Mos më ngatërro mua! Ç’do të bëjnë me kontrollin! - Ik, Sefedin! Nuk është nevoja më... - Po ç’t’u them atyre? - U kry, thuaju, dhe ata do ta kuptojnë... Ik... Inspektori Sefedin M. kërruset pak, më vështron i habitur, pastaj befas më jep dorën dhe largohet. Për disa çaste unë e ndjek me trishtim lëvizjen e ngadaltë të asaj siluete të shkurtër që sapo e ka kryer detyrën e tij.

KOMENTE