English

Niset në Kandahar kontigjenti “Eagle 2” me 45 paqeruajtës

Tiranë, 25 janar 2011, NOA – Është nisur sot me mison në Kandahar të Afganistanit kontigjenti i dytë i forcave speciale shqiptare “Eagle 2”, i cili do të zëvendësojë kontigjentin e parë “Eagle 1” , i cili prej gjashtë muajsh kryen misionin përkrah trupave speciale amerikane. Kontigjenti i parë i trupave speciale në Kandahar përbëhej prej 44 paqeruajtës, ndërsa kontigjenti i dytë i quajtur “Eagle 2”, prej 45 paqeruajtës: ushtarë profesionistë, nënoficerë dhe oficerë. Ceremonia e nisjes së trupave speciale u organizua sot në mjediset e garnizonit të batalionit special të Zall Herrit në Tiranë. Në ceremoni merrnin pjesë Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, zv. ministri i Mbrojtjes Ekrem Spahiu, zv.shefi i shtabit të përgjithshëm, Gjeneral Sandër Lleshi si dhe drejtues të tjerë të lartë ushtarkë dhe të MM-së. Në fjalën e tij përshëndetëse, komandanti i Forcës Tokësore, Gjeneral Brigade Viktor Bërdo, u tha trupave speciale se “ju shkoni atje për t’i mbrojtur, për t’i ndihmuar dhe për t’í mbështetur në rrugën e vështirë të lirisë dhe dermokracisë, duke e garantuar Ministrin Imami se Forca Tokësore do të vazhdojë të përgatisë dhe trajnojë ushtarakë të aftë dhe të devotshëm për përmbushjen me sukses të çdo misioni”. Ndërkohë vetë Ministri I Mbrojtjes Arben Imami në përshëndetjen e tij I vlerësoi forcat speciale “Eagle 2” si ambasadorët më të mirë të lirsë, paqes dhe stabilitetit që Shqipëria ofron. “Është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne sot. Është një ditë e rëndësishme sepse po shkojmë drejt mbylljes së misionit të parë, të një detyre të rëndësishme, të nivelit të lartë me mison luftimin Kandahar. E kemi kryer këtë detyrë me sukses përpara vendit, përpara Parlamentit shqiptar, përpara partnerve tanë, përpara Aleancës. Për këtë sigurisht që jemi krenarë dhe ajo që ju kërkoj është të vazhdoni këtë rrugë, ta forcojmë këtë traditë. Të shkoni atje dhe të jeni përfaqësues të një populli trim, një populli që ka luftuar për lirinë, një populli që ka luftuar dhe lufton për demokracinë. Një populli, i cili mbas vuajtjesh të mëdha gjatë shekullit të kaluar arriti të zejë një vend të merituar midis vendeve të tjera të Europës, vend të cilin nuk mund t’ja mohojë askush”, u tha Imami trupave të kontigjentit “Eagle 2”. Në fjalën e tij, Komandanti i trupave “Eagle 2”, nënkolonel Agim Kuçana u shpreh se “ndihem krenar që kam fatin dhe privilegjin e madh të jem sot këtu, si komandant i kontigjenti “Eagle 2”, me mison luftarak në Afganistan, ju se flamurin që më dorëzuat, do ta mbajmë me dinjitet dhe krenari përkrah flamujve të vendeve aleate”, premtoi Komandanti Kuçana. Kontigjent “Eagle 2” i është nënshtruar një programi trajnimi dhe kualifikimi special. Ai kreu stërvitjen “Jcet-2010” me trupat speciale amerikane, stërvitjen nënujore në bazën e Pashalimanit dhe stërvitjen e mbijetesës në kushte fushore, si dhe një sërë stërvitjesh të tjera në terrene të vështira për luftën kundër terrorizmit, mënyrat e trajtimit të robërve, luftën në zonat e banuara, luftën në terren të hapur, luftën me mina etj., të ngjajshme me detyrën që kryejnë trupat në mision në Kanadahar. Paqeruajtësit kanë në përdorim armët më të sofistikuara dhe pajisjet e teknikën më moderne që përdorin forcat speciale të koalicionit. Paralelisht, kontigjenti ka kryer edhe një stërvitje l mujore në Gjermani. Ky kontigjent dha kontributin e vet të çmuar në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër, gjatë muajit dhjetor. Aktualisht Forcat e Armatosura shqiptare nëpërmjet strukturave të Forcës Tokësore marrin pjesë me trupa në Operacionet e Mbështetjes së Paqes “ISAF” të drejtuara nga NATO në Afganistan me 2 kompani në Herat, 1 togë në Kabul për operacione siguruese, shoqërimi, si dhe 1 kompani speciale në operacione luftarake në Kandahar të Afganistanit, e cila zëvendësohet tashmë nga kontigjenti “Eagle 2”, i çertifikuar si nga forcat speciale amerikane, shtabi i Forcës Tokësore, SHP të FA-ve dhe i mirëstërvitur nga komanda dhe shtabi i batalionit special. mit/NOA

KOMENTE