English

Policia: Kapen 52 kg drogë me destinacion shitjen në kryeqytet

Tiranë, 25 janar 2011, NOA - Sekuestrohet në Tiranë në kuadër të operacionit policor “Drejtimi i Duhur” një sasi droge prej 52 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva. Drejtoria e Policisë së Tiranës bën me dije se lidhur me ngarkesën e drogës së sekuestruar janë arrestuar tre posedues të saj. Mësohet se sasia e drogës prej 52 kg e dyshuar si Cannabis Sattiva u arrit të sekuestrohej në orët e para të mëngjesit të sotëm, e ndarë në pako të presuara 1 kilogramëshe. Bashkë me mallin e sekuestruar u vunë në sekuestro nga policia edhe një automjet taksi, 4 celularë, një peshore, natribant, qese për ambalazhim, doreza etj. Sipas policisë droga u sekuestrua falë një hetimi rreth dy mujor dhe si rezultat i tij u arrestuan në flagrancë tre persona Festim Shkurt Çela, 28 vjeç, banues në fshatin Pezë e Vogël të Tiranës, Tonin Frederik Tarelli, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe Kristo Veledin Topalli, 45 vjeç, banues në Tiranë. Këta shtetas u kapën në flagrancë, me 12 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva, në kohën që ishin duke lëvizur me një automjet taksi pranë Kombinatit drejt qytetit të Tiranës. Në vijim të operacionit mësohet se uniformat blu të antidrogës gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Festim Çela, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një sasi tjetër prej 40 kg lëndë narkotike. Sasia e drogës së sekuestruar në total 52 kg, kishte si destinacion shitjen dhe shpërndarjen e saj në Tiranë. Ndaj tre të arrestuarve rëndon akuza për konsumim të veprës penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. mit/NOA

KOMENTE