Strasburg, 25 janar, NOA - Dhjetëra e qindra shqiptarë kanë protestuar sot para selisë së Këshillit të Evropës ku po debatohet për raportin e raportuesit të Këshillit, Dik Martyt. Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar dhe flamurin shtetëror të Kosovës si dhe fotografi të shqiptarëve të masakruar nga regjimi militar e paramilitar serb gjatë luftës në Kosovë.
Protestuesit gjithashtu mbanin në duar edhe pankarte në të cilat kërkohej nga anëtarët e asamblesë së Këshillit të Evropës të hedhin poshtë këtë raport dhe të kanë parasysh krimet serbe në Kosovë.
Oratorë të kësaj demonstrate theksuan se krime ka bërë Serbia në Kosovë e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Shqiptarët nuk e kanë traditë të merren me trafikim të organeve të njeriut dhe se të gjitha ato që i shkruan Dik Marty janë shpifje monstruoze të fabrikuara nga kuzhinat serbe e ruse.
NOA