English

PS: Në 28 janar të tregojmë se populli s’e ul kokën ballë dhunës shtetërore

Tiranë, 25 janar 2011, NOA – Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka rikujtoi se këtë të premte në 28 janar në ditën e të shtatave të tre protestuesve të vrarë në 21 janar të gjithë do të jenë për të protestuar paqësisht mu në vendin ku u vranë demonstruesit, pra përpara selisë së kryeministrisë. Xhaçka ritheksoi se “Të premten e zezë, në 21 janar, një ditë që do tëmbetet e paharruar në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për demokraci, tre shqiptarë të thjeshtë humbën jetën. Mëkati i tyre i vetëm ish se guxuan të demonstrojnë kundër një regjimi kusarësh e matrapazësh që të premten provoi se është gati të vrasë për të ruajtur pushtetin e tij”. Ajo tha se opozita dhe populli që e ndjek atë do të protestojnë për të treguar se sakrifica e tre demonstruesve nuk qe më kot, si dhe për të treguar se një popull i tërë i vajton jetët që u prenë në mes në mënyrën më kriminale e në traditën më të shëmtuar të regjimeve diktatoriale.

“Të premten në 28 janar ne do të nderojmë kujtimin e këtyre prindërve, e bijve të familjeve të thjeshta, që u vranë më kot, pa bërë asgjë më tepër sesa atë që është e drejta e çdo qytetari në një vend të NATO-s: duke ngritur zërin kundër një regjimi kusarësh e hajdutësh që gjithnjë e më shumë po i asfikson shqiptarët, po i varfëron shqiptarët, po i mbyt shpresat e ëndërrat e tyre, së fundi edhe me forcën e armëve”, nënvizoi deputetja socialiste.

Deputetja Xhaçka i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen në këtë demonstratë opozitës, për t’i bërë homazhet tre dëshmorëve më të fundit të përpjekjeve të shqiptarëve për të ndërtuar një Shqipëri realisht demokratike e të lirë e europiane.

Ajo apeloi që të gjithë të mblidhen në 28 janar, ditën e premte në orën 14.00 në bulevardin Dëshmorët e Kombit për të bërë homazhe e për të treguar paqësisht se populli nuk do ta ulë kokën përballë dhunës shtetërore.

mit/NOA

KOMENTE