English

Rama-Arvizu: Kërkojmë asistencë speciale nga SHBA. Arvizu: Hetimi i takon Prokurorisë

Tiranë, 25 janar 2011, NOA – Kryeprokurorja Ina Rama i ka kërkuar sot ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu që SHBA-të të ndihmojnë Prokurorinë në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit ku mbetën të vrarë tre demonstrues dhe të plagosur dhjetëra të tjerë si nga demonstruesit dhe forcat e rendit. Në një konferencë të përbashkët për mediat me ambasadorin amerikan Arvizu, zonja Ina Rama theksoi se “Jemi të ndërgjegjshëm se hetimi i këtyre ngjarjeve bart vështirësi për kompleksitetin e ngjarjeve, e për të gjitha këto arsye unë e shoh tejet të rëndësishëm hetimin e paanë të kësaj çështjeje, andaj dhe prokuroria shqiptare i ka kërkuar ndihmë SHBA-ve në drejtimin e asistencës speciale në drejtim të ekspertizës së kriminalistikës, duke bërë që procesi i hetimit të jetë më efektiv, dhe jep garanci si për arritjen e tij dhe për besueshmërinë”. Kryeprokurorja tha se Prokuroria ka nisur hetimin e 21 janarit menjëherë pas ndodhjes së tyre, duke angazhuar tërë trupën e prokurorëve, për të cilat ajo tha se “Do të marrim tërë provat që do t’i drejtohen një sërë ekzaminimesh për të arritur një hetim të pavarur”. “Përgjegjësia për këtë hetim i përket Prokurorisë”, theksoi Ina Rama, duke i shprehur mirënjohjen ambasadorit amerikan për mbështetjen në këtë hetim të rëndësishëm. Vetë ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu u shreh se “Jemi të tërë të trishtuar nga ngjarjet e të premtes së 21 janarit”. Duke theksuar se thelbësor në këtë moment është hetimi i ngjarjeve dhe zbardhja e tyre, zoti Arvizu theksoi se “sipas ligjit shqiptar, hetimi dhe zbardhja e ngjarjeve i takon Prokurorisë. “Ne do ta shohim me shumë kujdes kërkesën e kryeprokurores Ina Rama, dhe do të na duhet të punojmë në detaje me këtë çështje”, nënvizoi Arvizu. “E di që shumë shqiptarë, përfshirë kryeministrin Berisha, kryeprokuroren Ina Rama, kryetarin e Opozitës, Edi Rama kanë kërkuar ndihmë për asistencë në këtë hetim, dhe nëse është e rëndësishme atëherë ne ndihemi krenarë t’u japim ndihmën tonë”, tha ambasadori amerikan. “Unë besoj që përmes këtij veprimi të ngremë një mjedis politik sa më të qetë dhe sa më të bashkëpunueshë”, vijoi ai. Por, në fund të fjalës së tij ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu me një gjuhë diplomatike shtoi se “Shpresoj që kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës të marrin në konsideratë shtyrjen e tubimeve të lajmëruara për të premten dhe të shtunën”. Gjatë konferencës për shtyp, zonja Rama u shpreh se Prokuroria i ka nisur hetimet falë të gjitha të dhënave dhe mjeteve që shfaqin ngjarjet e demonstratës. Ai theksoi se në këtë hetim Prokurorisë do t’i hynin në punë për hetimin të gjitha të dhënat nga vendngjarja, pasi sikundër tha ajo “po bëjmë të gjitha hetimet e para të ngjarjes lidhur me pasojat në vendngjarje dhe për këtë na duhen edhe provat nga policia e shtetit. mit/NOA

KOMENTE