Tiranë, 25 janar 2011, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sonte se demonstrata e të premtes së dytë për këtë muaj, nuk do të anulohet. Pas takimit me tryezën e aleatëve të Opozitës së Bashkuar, kreu i PS-së ka theksuar se protesta është një homazh për qytetarët që humbjen jetën në demonstratë e datës 21 janar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Rama tha se nuk ka arsye se përse të mos nderuar kujtimin e tre qytetarëve që humbën jetën.
“Bëhet fjalë për një demonstratë homazh, ne nuk e anulojmë demonstratën homazh”, tha Rama. Ky është vendimi që ka marrë edhe tryeza e “Opozitës së Bashkuar”.
Deklarata e kreut të PS-së për vazhdimin e demonstratës së datës 28 janar shton edhe me tej tensionet mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryeministri Sali Berisha deklaroi pak orë më parë se ka anuluar mitingun e datës 29 janar.
Me vijimin e demonstratave. Rama ka dalë kundër deklaratave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian për mos vijimin e protestave.
Sot Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu deklaroi se u ka kërkuar dy drejtuesve të forcave kryesore që të anulojnë tubimet masive. Madje publikisht bashkë me Ina Ramën, Arvizu në daljen e tij te Prokuroria e Përgjithshme tha se shpresonte që Rama dhe Berisha të ndërmerrnin shtyrjen ose anulimin e tubimeve.
Më herët se Rama të shpallte sonte mostërheqjen, Berisha doli para mediave dhe tha se kishte vendosur të shqyrtonte anulimin e manifestimit të së shtunës.
Kurse Edi Rama, po sonte në një intervistë për televizionin “News 24”, ka akuzuar direkt kryeministrin Sali Berisha “si urdhërues të vrasjeve të tre qytetarëve”.
a.k/NOA