Strasburg, 25 janar, NOA - Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës merr sot në shqyrtim raportin e hartuar nga raporteri i Këshillit të Evropës, zvicerani Dick Marty, i cili akuzon disa prej krerëve të ish-Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës për krime të rënda gjatë luftës dhe pas saj.
Në kuadrin e diskutimeve të këtij raporti dhe vërtetësisë së akuzave që përfshihen në të, pala shqiptare do të jetë e pranishme në seancat përkatëse, duke i kundërshtuar ato në mënyrë zyrtare.
Pala shqiptare do të jetë e përfaqësuar me një delegacion të posaçëm parlamentarësh, i përbërë konkretisht nga Ilir Rusmaili, Shpëtim Idrizi, Lajla Përnaska e Arben Ahmetaj dhe i kryesuar nga kryeministri Sali Berisha.
Ndërsa gjatë kësaj seance është edhe raportuar pjesëmarrja e presidentit serb Boris Tadiç, por edhe Kosova ka paralajmëruar pjesëmarrjen e delegacionit të Kuvendit të Kosovës, megjithëse nuk është anëtare e Këshillit të Evropës.
Kjo pasi këtë radhë përmendet emri i saj dhe bëhet fjalë për të, dhe atëherë Kosova lejohet që të jetë e pranishme.
Konkretisht, raporti i Dik Martit akuzon grupin e Drenicës gjatë luftës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i tanishëm në detyrë Hashim Thaçi, i cili ka qenë njëkohësisht edhe një nga eksponentët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rrëmbimin e serbëve dhe marrjen e organeve të tyre në Shqipëri, duke ua trafikuar më pas.
n.e/NOA