English

Ruli: Zgjedhjet e parakohshme, a janë opsion?

Tiranë, 25 Janar 2011 - Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Genc Ruli thotë se zgjedhjet e parakohshme të provokuara në mënyrë të paligjshme do të ishin zgjidhja më e keqe për shqiptarët. Sipas Rulit, “Edi Rama dhe të tijtë, duke parë që nuk kishte asnjë gjasë, asnjë arsye historike apo politike që shteti të shkonte në zgjedhje të parakohshme, iu drejtuan dhunës, me qëllimin që të bënin që shteti të gremisej drejt zgjedhjeve të parakohshme”.

Në intervistë për televizionin Alsat, Ruli tha sot edhe se ajo që ndodhi më 21 janar ishte mirëfilli grusht i përgatitur shteti me bandë të dirigjuar sipas tij nga Edi Rama. Kurse shton se “në këtë bandë nuk dua të përmend shërbyes të tij të rëndomtë e figura donkishoteske si alias avokati Ngjela, të cilit e gjithë kjo urrejtje kundër PD dhe shtetit i buron vetëm sepse nuk u bë ministër në mandatin e parë, apo Preç Zogaj, motivi i të cilit është po kaq i vogël ose Skënder Gjinushi, të cilët kanë bërë para dhe pas protestës së dhunshme thirrjet më të pakamufluara antikushtetuese për demonstrime të dhunshëm, për nevojën për martirë apo për skenarë allatunizianë”.

Mazhoranca e akuzon opozitën për organizimin e një grushti shteti dhe thuhet gjithashtu që ky grusht shteti vazhdon. Çfarë do të thotë kjo, më konkretisht?

Skenari i grushtit të shtetit, i cili ka qenë disa herë në historinë e Shqipërisë, u ravijëzua më së miri në datën 21 janar. Pamjet e shumta filmike që media ofron, paralajmërimet nga ana e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës dhe entourage-it të tij, dhe kronologjia që i parapriu kësaj date në dy vitet e fundit, por sidomos në dy muajt e fundit e justifikojnë vetvetiu argumentin ligjor që ne përdorim për të thënë që kjo ishte një përpjekje për grusht shteti. Madje mund t’ju them se ishte një grusht shteti jo në tentativë, por në realizim e sipër. Sulmi i hapur me dhunë, duke përdorur grupe të organizuar, të stërvitur që në pjesën më të madhe përbëhej nga kontigjente të krimit që, të droguar të kujtonin ushtarët e mesjetës. Në krye të tyre ishin persona të implikuar rëndë në afera kriminale apo dhe nga ish punonjës dhe drejtues të policisë së shtetit në të kaluarën. Tentativa ishte e drejtpërdrejtë, kishte synimin të sulmohej godina e kryeministrisë, të pushtohej dhe më tej të vazhdohej me një skenar tjetër. Do të doja të thoja që ky grusht shteti, i cili u shtyp qartazi dhe prerazi që në 21 janar, është aktualisht në agoninë e tij dhe unë nuk mendoj se do të ketë më vullnet të zi nga ata që e menduan dhe e planifikuan atë, tej zotit Rama. Madje them se të zhytur në agoni janë tashmë ata që e organizuan atë.

Por do të doja ta shihja problemin edhe në një kontekst historik. Fatkeqësisht, gjatë të gjithë historisë së shtetit të pavarur shqiptar, shteti është rrokullisur zakonisht jo nga armiq të tjerë, por nga vetë banda shqiptarësh. Këto banda kanë patur diku motive fetare, si në rastin e Haxhi Qamilit, motive revolucionare ekstreme si në rastin e Nolit, apo motive anarkiste kundër demokracisë si në vitin 1997. Gjithmonë, në këtë përplasje të bandës me shtetin, ka ndodhur që shteti shqiptar është gremisur, gjë e cila në vetvete ka lënë pas edhe një shkak e një pretekst që, çdokush me qëllime keqdashëse, apo çdo vëzhgues i ftohtë, qoftë edhe pa e kuptuar mirë fenomenin shqiptar, të arrijë në konkluzionin që shqiptarët e kanë shumë të vështirë të krijojnë shtet dhe të besojnë tek shtetit dhe institucionet e tij. Unë mendoj se bllokimi që iu bë grushtit të shtetit në 21 janar ka një dimension historik, për arsye se tregon një maturim të shtetit shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare, tregon që Shqipëria është e ndarë tashmë nga epoka e mëparshme, tregon që Shqipëria e ka merituar tashmë statusin e saj si një vend anëtar i NATO, si një vend që ndodhet në prag të anëtarësimit në BE. Tregon gjithashtu se nuk ka më bandë që të jetë në gjendje të përmbysë shtetin shqiptar dhe institucionet e zgjedhura në mënyrë të ligjshme në këtë vend. Prandaj them se ky është mesazhi më i fortë i kësaj ngjarje, një mesazh që ka vlerë të madhe historike.

Dua të them dhe një tjetër fakt të rëndësishëm, ndoshta në mënyrë të njëanshme, si një njeri që jam pjesë e lidershipit të PD që në vitin 1991: nuk është rastësore që PD është partia dhe udhëheqja politike që i është ndodhur vendit në dy momente të konfirmimit historik të tij, së pari në vitin 1991 kur duhej të drejtonte me urtësi dhe me kurajë kombin drejt legjitimimit të lirisë së tij nga një diktaturë e gjatë, dhe sot, kur duhej t’i konfirmonte kombit shqiptar, përsëri me urtësi dhe me kurajë, një vendosmëri politike të padiskutueshme për të dhënë mesazhin që shteti demokratik në Shqipëri nuk preket më nga bandat. Ne ndiejmë keqardhje për faktin që në krye të kësaj bande ndodhet një njeri i cili ka edhe një tjetër status, atë të kryetarit të PS. Në gjykimin tim, u bë kohë tashmë që PS nuk është më një trupë politike me një aksion të mirëfilltë politik, asaj i është klonuar një grup kontrollues i cili në thelb është apolitik për arsye se është i zgjedhur në mënyrë personale nga Edi Rama, dhe ky grup nuk ndodhet as për shkak të historisë së individëve që e përbëjnë këtë grup dhe as për shkak të motivimit politik të tyre, dhe për më tepër, ai nuk prodhohet nga PS dhe strukturat e saj. Për mendimin tim ky grup është një bandë e përbërë nga djemtë nazikë pranë Ramës, me atribute shpesh femërore që, dhe sigurisht nuk janë ata që i turren policit me shkopinj e gurë, por ama janë në gjendje të bëjnë edhe më keq se kaq, pasi janë pikërisht ata që prodhojnë vjellin helmin që ka krijuar në dy vitet e fundit propaganda e Ramës, në përpjekje për të krijuar një Shqipëri virtuale, të cilën e nxijnë nga mëngjesi e deri në darkë me një zell të pashoq, një propagandë që po me kaq zell përkthehet e transmetohet përditë online tek institucionet ndërkombëtare pikërisht nga ky grup që rrethon Edi Ramën. Kjo është banda Nr.1 e tij. Banda Nr. 2 është ajo që u ekspozua në 21 janar.

Në këtë bandë nuk dua të përmend shërbyes të tij të rëndomtë e figura donkishoteske si alias avokati Ngjela, të cilit e gjithë kjo urrejtje kundër PD dhe shtetit i buron vetëm sepse nuk u bë ministër në mandatin e parë, apo Preç Zogaj, motivi i të cilit është po kaq i vogël ose Skënder Gjinushi, të cilët kanë bërë para dhe pas protestës së dhunshme thirrjet më të pakamufluara antikushtetuese për demonstrime të dhunshëm, për nevojën për martirë apo për skenarë allatunizianë.

Sot, shqiptarët kanë të drejtë të ndihen të vetësigurtë që rruga drejt një kombi me shtet ligjor i cili mbron jetën, interesat dhe sigurinë e tyre, drejt një vendi i cili nuk bie më në kolapse instabiliteti, është tashmë e konsoliduar dhe e pakthyeshme. Mendoni vetëm që, nëse do të kish rënë ajo godinë kryeministrie – gjë që nuk kish kurrë gjasa të ndodhte - Shqipëria do të ishte rikthyer 20 vjet mbrapa, në imazhin dhe perceptimin ndërkombëtar.

Ajo që ndodhi të premten e 21 janarit mbetet për t’u zbardhur dhe mbetet për t’u hetuar. Edhe mazhoranca, edhe Kryeministri kanë bërë thirrje për një hetim të gjerë, madje edhe nga ndërkombëtarët kanë ardhur sinjale për një hetim të përgjithshëm. Pyetja është: Kush do ta bëjë këtë hetim tërësor dhe të paanshëm?

Pyetja është e drejtë. Jam i prirur të mos e shoh me pesimizëm e të mendoj që nuk do të ketë hetim. Mendoj që është për të ardhur keq që disa institucione kushtetues të nivelit më të lartë dhe që e kanë për detyrë kushtetuese të reagojnë në ato raste kur siguria e shtetit dhe siguria e qytetarit vihen në rrezik, ose nuk janë shprehur, ose kanë dalë me deklarata a thua po flisnin për Zanzibarin dhe jo për Shqipërinë. Ndiej gjithashtu keqardhje për faktin që pati reagime shumë të nxituar edhe nga një institucion shumë i rëndësishëm siç është Prokuroria, organi numër një i zbatimit të ligjit. Ky organ, me një ngut të çuditshëm, duke lëshuar që në pesë të mëngjesit urdhër-ndalimet për të gjithë zinxhirin komandues të Gardës së Shqipërisë, pa patur as kohën për të bërë këqyrjen e vendngjarjes dhe grumbullimin e provave të para, praktikisht e paragjykoi të gjithë vijimin e mëtejshëm të hetimit. Unë mendoj se kjo çon më shumë në moszbulimin, se sa në zbulimin e të vërtetës. Zbulimi i të vërtetës është shumë i rëndësishëm, jo sepse përmbys kuptimin e atij skenari që ka ndodhur. Atë ditë shteti u sulmua. Gardisti duhet të mbrojë, siç e ka ligji, duke përdorur edhe armën e zjarrit ndaj atij që sulmon, jo sepse mbron jetën e tij apo jetën e zyrtarit më të lartë që është në institucion, por sepse mbron ligjin.

A mund të ishte shmangur hapja e zjarrit?

Kemi qenë në një situatë konkrete, të cilën e parashikon ligji. Këtu nuk kishim një protestë e cila nisi si paqësore dhe pastaj për shkak të nervozizmit u shndërrua në të dhunshme. Këtu kishim detashmente të mirëorganizuara, të stërvitura, të pajisura me armë, që nga armët e zjarrit - dhe më duhet t’ju them se ka vrima plumbash në godinën e kryeministrisë - ke njerëz të pajisur me molotovë, ke njerëz të pajisur me bastunë të cilët i turren në mënyrë provokuese policisë. Duke e parë ngjarjen jo si politikan, por si një qytetar i thjeshtë, unë jam lebetitur nga ajo urrejtje kriminale që shihja në sytë e atyre njerëzve në momentet kur i turreshin policit. Cili qe motivi? Politik? Se ata janë policë të PD dhe këta që turreshin ishin të PS? Nuk është asnjëherë i mjaftueshëm për të shfaqur atë lloj egërsie, kurrë. Vetëm motivi kriminal mund të qëndrojë prapa asaj egërsie kundër forcave të rendit.

A mendoni se do të gjendet ndonjëherë përgjegjësia jo vetëm për atë që ju e quani grushti i shtetit, por edhe për ata që shkaktuan ata tre viktima?

Ndonëse thashë dhe më lart që puçi i shtetit u shtyp, ka elemente të tij që nuk janë zbardhur por që nuk kam asnjë dyshim që kjo do të ndodhë. Zbardhja e kësaj të vërtete është pjesë e vendosmërisë dhe detyrimit politik që ne kemi, që të hedhim dritë. Atë ditë shqiptarët morën një mesazh historie. Ju e patë, që të nesërmen Tirana ishte një qytet që vijonte jetën normale. Kjo do të thotë që, në instiktin e vet, çdo qytetar shqiptar e pa që data 21 janar nuk qe dhe nuk kish asnjë shans të ishte një ’97 e dytë. Në mendjet e tyre, shqiptarët e kanë thuajse të pamundur të harrojnë atë traumë të madhe që pësuan në 1997, sepse iu prek liria, iu prek prona, iu prek jeta fizikisht. Të nesërmen, të gjithë qytetarët patën bindjen se qëndrueshmëria e shtetit ishte në vetvete një garanci për jetën e tyre. Në 21 janar nuk u mbrojt thjeshtë Kryeministria e PD dhe Sali Berisha, por u mbrojt shteti legjitim shqiptar, u mbrojt jeta dhe statusi politik apo social i çdo shqiptari. Ne, si forcë politike, si qeveri, si mazhorancë kemi një vendosmëri të padiskutueshme për zbardhjen e së vërtetës. Vullnetet e luhatur që kemi vërejtur deri tani nuk mund ta pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Ju përmendët 6 urdhër-arrestet për të gjithë zinxhirin e komandës së Gardës, të cilët u lëshuan nga Prokuroria dhe nuk u zbatuan nga Policia e Shtetit. Cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës për këta 6 drejtues të Gardës. A do të zbatohen ndonjëherë këta urdhër-arreste? Çfarë do të ndodhë me ta?

Urdhër-arresti kishte në radhë të parë një nxitim paragjykues. Një organi që ne e konsiderojmë të konsoliduar nuk i mungon aftësia të lexojë ligjin dhe të vëzhgojë rrethanat e momentit për të kuptuar që, pa filluar kryerjen e grumbullimit të provave, të cilat ofrojnë treguesit e parë se ku mund të jetë fajësia më e madhe, nuk duhen vënë gishti. Kjo është një situatë ku nuk mundesh që menjëherë, brenda sekondës të gjesh kush është fajtor dhe kush jo. T’u drejtohesh organeve të shtetit, që kanë për detyrë kushtetuese të përdorin edhe armën për të mbrojtur institucionet, duhet që më parë të shohësh nëse ka patur apo jo teprim të forcës. Dhe kjo nuk vërtetohet me një të parë dokumentari, sepse nevojitet ekspertizë dhe analizë. Së dyti, të gjithë njerëzit e panë që kishte një agresivitet të madh të komandove të përgatitura dhe stërvitura me një strategji të posaçme, pasi ajo që pamë të sulmojë Kryeministrinë nuk ishte një turmë e verbër, por një sulm shumë mirë i organizuar edhe nga pikëpamja taktike.

Dhe ka një element shumë evident që mbështet faktin që ai ishte një skenar i planifikuar për të qenë i dhunshëm: Ky lider, i cili nuk ka munguar asnjëherë për t’i dalë në krye çdo turme protestuesish, përse atë ditë nuk ndodhej në krye? Sepse skenari ishte për të përfunduar në dhunë dhe ai djalë nuk e mban dot dhunën. Ai e krijon dhunën, për ta pësuar të tjerët, por jo për ta mbajtur vetë në kurriz.

Tashmë pyetja më e madhe është si do të dalim nga ky ngërç, si do të zgjidhet kjo situatë politike si do t’i kthehet rrugës jeta politike, por jo vetëm ajo, rrugës së normalitetit, rrugës së institucioneve, rrugës së ligjit.

Vërtetë kemi një përpjekje të institucioneve ndërkombëtare, të përfaqësive të tyre diplomatike, që janë duke ndërmjetësuar. Personalisht nuk do të doja kurrë që shqiptarët të kishin nevojë për një ndërmjetësim të tillë për të zgjidhur problemet e tyre politike. Megjithatë, ndodhemi në rrethana kur ne jemi shumë mirënjohës për këtë ndërmjetësim të tyre, për arsye se ne tashmë jemi edhe pjesë e strukturave politike ndërkombëtare, si NATO, BE etj. Sidoqoftë, kam bindjen se mekanizmi i vërtetë i zgjidhjes qëndron brenda vendit, është Parlamenti, është Qeveria. Dua t’ju kujtoj se grupi ynë parlamentar e ka dhënë të qartë mesazhin e tij: Ne nuk do të pengojmë asnjë hetim, ndaj çdo punonjësi të Gardës, qoftë ky oficeri më i lartë, qoftë ushtari më i thjeshtë, nëqoftëse do të vërtetohet se ai si individ e ka tepruar me përdorimin e të drejtës kushtetuese që ka, nëse ka dhënë një urdhër të paligjshëm, apo nëse ka vepruar përtej kompetencave të një urdhri që i është dhënë. Këto janë për t’u zbardhur. Nga ana tjetër, çdo gjë mbi të cilën do të hidhet dritë, nuk mund të fshijë dhe nuk mund të shtrembërojë atë që deri më sot është e vërtetuar: shteti shqiptar, i dalë nga zgjedhje të ligjshme, i njohur ndërkombëtarisht si shtet i ligjshëm u sulmua nga një bandë. Shteti u gjend nën sulmin e një bande politike, jo sepse është PS prapa, pasi jam i bindur se nuk është PS-ja kjo, pavarësisht se kryetari i saj ndan njëkohësisht dy frone, atë të kryekapos së bandës dhe atë të kryetarit të PS.

Cilët janë faktorët që mund të ndikojnë në zgjidhjen apo të paktën tejkalimin e këtij ngërçi?

Elementi i parë dhe i domosdoshëm i zgjidhjes është konfirmimi dhe ripërsëritja e vullnetit të pandërprerë që ka kjo qeveri dhe të gjithë institucionet që drejtohen prej saj, për të mos bërë asnjë lloj tolerimi ndaj veprimeve të paligjshëm dhe antidemokratikë. Çdo lloj kompromisi që do të mund të bëhej, duke e fshehur dhe duke e quajtur sulmin e hapur me armë kundër kryeministrisë si një ngjarje në Bulevard, çdo zbutje e asaj që ka ndodhur nuk çon në zbardhjen e të vërtetës apo në zgjidhjen e situatës politike.

A mund të ishte Presidenti i Republikës një nga iniciatorët e zbutjes së toneve të politikës shqiptare në këtë moment?

Do ta kishim mirëpritur një rol më aktiv të Presidentit. Mua më vjen keq që shumë presidentëve shqiptarë iu ka ndodhur brenda mandatit të tyre të kenë ngjarje madhore dhe, them se përgjithësisht janë munduar që me përgjegjshmëri politike t’u përgjigjen këtyre ngjarjeve, për arsye se Presidenti është garant i Kushtetutës. Deri tani, nuk kam parë ndonjë reagim kaq të vendosur.

E prisni një reagim të tillë?

Kam gjithë dëshirën që ta pres dhe gjithë besimin që duhet të ndodhë.

Ndërkohë, a është e gatshme mazhoranca të ulet në tryezë për të gjetur një zgjidhje, në Parlament apo kudo qoftë?

Mazhoranca, e fton pikësëpari Partinë Socialiste dhe deputetët e saj që të vijnë në Parlament. Ne vërtetë kemi parë debate që kanë degjeneruar deri në rrugaçëri, të provokuar më së shumti nga detashmente të Partisë Socialiste por, unë mendoj se pjesëmarrja në Parlament, në komisione, do të ishte reagimi më i sinqertë që do të kishte PS për t’u distancuar nga ajo dhunë, nëse do të merrte pjesë në komisionin hetimor parlamentarë, garantonte pjesëmarrje të barabartë anëtarësh në këtë komision, megjithë mendimin e diferencuar që ka dhe që është i ndryshëm nga ai i anëtarëve të mazhorancës për të zbardhur të vërtetën. Unë nuk them që nuk ka një ndjeshmëri të tillë tek mjaft eksponentë të Partisë Socialiste, por, me atë inkapsulim që i ka bërë vullnetit parlamentar të PS Edi Rama, për t’u shtruar në këto tavolina për fillimin e diskutimit dhe gjetjen e zgjidhjes politike.

Nëse Z. Rama do të kërkonte zgjedhje të parakohshme, cili do të ishte qëndrimi i mazhorancës.

Zgjedhjet e parakohshme janë pjesë e skenarit puçist. Duke parë që nuk kishte asnjë gjasë, asnjë arsye historike apo politike që shteti të shkonte në zgjedhje të parakohshme, Rama dhe të tijtë iu drejtuan dhunës, me qëllimin që të bënin që shteti të gremisej drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nga historia jonë, nuk besoj të kemi parë që zgjedhjet e parakohshme kanë sjellë zgjidhje më të mirë. Përkundrazi, kanë sjellë zgjidhje të këqija që e kanë zgjatur jetëgjatësinë e krizës. Në këtë rast, zgjedhjet e parakohshme të provokuara në mënyrë të paligjshme do të ishin zgjidhja më e keqe për shqiptarët.

KOMENTE