English

Shoqëria civile: SHBA-BE të emërojnë ndërmjetësues për dialogun politik

Tiranë, 25 janar 2011, NOA – Ndërkohë që pas demonstratës së 21 janarit dialogu politik mes mazhorancës dhe opozitës duket i largët, organizatat kryesore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri kërkuan sot emërimin e një ndërmjetësi të lartë nga ana e SHBA-ve dhe BE-së, që të ulë palët politike në negociata dhe t’i drejtojë ato në mënyrë të paanshme drejt normave ndërkombëtare. Shoqëria civile e kërkon këtë ndërmjetësim në peticionin e saj me argumentin se “gjatë këtyre 18 muajve të fundit forcat kryesore politike të vendit kanë treguar paaftësi për të zgjidhur çështjet kryesore të krizës politike”. Peticioni në fjalë u drejtohet të gjithë qytetarëve dhe është një thirrje drejtuar politikës dhe partnerëve ndërkombëtarë për zgjidhjen e situatës së krijuar pas demonstratës së 21 janarit 2011.

Shoqëria shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile kërkojnë mospërkeqësimin e mëtejshëm të situatës, ndalimin e gjakderdhjeve të mëtejshme si dhe humbjen e pajustifikuar të jetëve.

Më tej në peticion thuhet se “Bilanci i deritanishëm flet për humbjen e tre jetëve për shkak të përdorimit të armëve dhe të dhjetra të plagosurve e të arrestuarve. Ky është një çmim që Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë. Ky është një imazh që nuk na bën

nder”.

Shoqëria civile kërkon një hetim të shpejtë, profesional dhe gjithëpërfshirës të ngjarjes, përfshirë forcën e tepruar të ushtruar nga policia e shtetit dhe garda e Republikës si dhe vrasjen e tre civilëve të pa-armatosur.

Madje ajo i kërkon Prokurorisë të ndërmarrë me seriozitetin dhe përkushtimin më të madh hapat e duhura për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit 2011, pa u ndikuar nga ndërhyrje të natyrës politike apo të ndonjë lloji tjetër.

Peticioni thekson më tej se “Shteti demokratik vihet në provë mbi të gjitha nga respektimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve si dhe nga bashkëpunimi ndër-institucional në funksion të drejtësisë, larg interesave partiak”.

mit/NOA

KOMENTE