English

Thellohet skandali, KE miraton raportin e Martit

Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës sapo u miratua raporti i zviceranit Dik Marti.

Raporti akuzon kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe disa prej ish-drejtuesve të UÇK-së për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikun e organeve.

I vetmi ndryshim që pësoi raporti pas debatit të sotëm ishte titulli, të cilit i është shtuar fjala "hetim" mbi trafikimin. Në këtë mënyrë, thellohet rëndimi i shqiptarëve duke i detyruar të vazhdojnë të mbajnë një barrë që nuk e meritojmë, për më tepër kur shqiptarët e Kosovës ende nuk i kanë larguar pasojat e frikshme të okupatorit serv.

***

Në punimet e sotme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vënë për diskutim raporti i raportuesit të posaçëm të këtij mekanizmi, Dik Marti, për, siç është thënë, “trafikim të paligjshëm organesh nga një grup i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Duke rikujtuar fillimisht rrethanat që kanë nxitur këtë raport, e që kishin të bënin me pohimet e ish-kryeprokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Karla del Ponte, zoti Marti në paraqitjen e tij tha se “raporti nuk ka të bëjë fare me statusin politik të Kosovës, nuk ka të bëjë me raportet midis Kosovës dhe Serbisë dhe në asnjë mënyrë nuk është kundër popullit kosovar dhe atij shqiptar”.

Raporti, sipas tij, ka të bëjë me “shkeljet e të drejtave të njeriut”.

“Kur u publikua ky raport, e kam nënvizuar se duhet të lexohet me kujdes dhe fjalët duhen kuptuar ashtu siç janë shkruar dhe pa nënkuptime të tjera”, ka thënë zoti Marti, duke vlerësuar se, bazuar në raportimet e mediave dhe reagimeve të politikanëve, ky rekomandim i tij është injoruar.

“Është e vërtetë se në raportin tim do të mund t’i shmangia emrat, por pastaj do të bëja një vlerësim të përgjithshëm dhe i gjithë kombi do të mund të fyhej”, tha zoti Marti, por, sipas tij, e vërteta dhe sinqeriteti intelektual, respekti për popullin kosovar dhe familjet e viktimave “kërkojnë nga ne që gjërave t’u themi me emër”.

“Këta emra janë emra që janë cituar për shumë vite në dokumentet që janë hartuar nga forcat policore, nga shërbimet sekrete të disa vendeve, për të mos përmendur edhe artikujt e gazetave që janë shkruar nga gazetarë shumë të respektuar”, ka thënë zoti Marti.

Ai ka pohuar se për përmbajtjen e raportit ka dëshmitarë.

“Po, kemi gjetur dëshmitarë, po, ata janë dëshmitarë kredibilë, ata na e kanë mundësuar të jemi të saktë dhe pikërisht kjo frikëson qarqe të caktuara”, ka thënë Marti, duke mohuar se këta dëshmitarë kanë ndonjë lidhje me serbët apo me rusët dhe janë njerëz që e duan vendin e tyre, Kosovën.

Sipas tij, “dëshmitarët janë shumë të frikësuar dhe nuk i besojnë drejtësisë vendore apo asaj ndërkombëtare dhe në këtë rrafsh, zoti Marti i kushtoi një vëmendje të posaçme programit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, çështje kjo e cila do të diskutohet në punimet e së mërkurës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Rezoluta dhe raporti, që bëjnë thirrje për hetime, janë akte të drejtësisë dhe respekt për ata burra dhe gra që jetojnë në këtë vend të vogël, i cili tashmë ka vuajtur kaq shumë”, tha në fund zoti Marti, duke porositur se drejtësia nuk mund të vihet në vend pa të vërtetën.

Pohimet në këtë raport janë kundërshtuar ashpër nga Prishtina zyrtare, e veçanërisht nga kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, emri i të cilit është përmendur në të, duke e ndërlidhur me akuzat për “trafikim organesh, kontrabandim armësh dhe narkotikësh”. /rfe/

KOMENTE