English

Akuzat për transplante, Berisha: Të hetohet çdo pëllëmbë e territorit

Tiranë, 26 janar 2011, NOA Update – “Akuzat e ngritura në raport nuk janë të reja, por janë akuza të fabrikuara nga makineria propagandistike e Millosheviçit, fill pas sulmit të NATO-s mbi Sadamin e Ballkanit”. Kështu e ka nisur komentin e tij kryeministri Sali Berisha për miratimin e raportit të Dick Martyt nga Asambleja e Përgjithshme Parlamentare e Këshillit të Europës. Duke folur në mbledhjen e qeverisë kryeministri theksoi se “akuzat për varr të përbashkët në Shqipëri, për marrje organesh për trafikimin nga qenie njerëzore janë krimet më të shëmtuara, më të rënda, më të papranueshmet. Kjo nuk ka asnjë dyshim. Pavarësisht se janë hetuar më parë, ne jemi dhe do të jemi plotësisht për hetimin e çdo pëllëmbe të këtij territori”, garantoi kryeministri. “E kam theksuar edhe më parë, kocka serbësh mund të jetë të panumërta në Alpet tona, por ato janë të luftës së parë botërore, kur ata, tek iknin me bisht ndër shalë nga vendi i tyre, vërshuan si hordhi e dogjën malësinë e Veriut, u dogjën banorëve të saj shtëpi e katandi, ndonëse po iknin të shpartalluar, të bërë fërtele e me turp po lëshonin vendin e tyre. Natyrisht, shqiptarët u dhanë atë që meritonin. Kështu, në Alpe jam i sigurt se janë të panumërta, por nuk janë në varre të përbashkët, janë të shtrirë e mund të jenë gjerësisht. Metodat nxjerrin pa vështirësi moshën e tyre. Për varr të përbashkët në Shqipëri, cilido që dyshon të vijë të kontrollojë në çdo pëllëmbë të territorit të këtij vendi. Ky është qëndrimi ynë”, tha zoti Berisha. E ndërsa raporti i Martyt akuzon udhëheqës të UÇK-së për trafik organesh të robërve serbë, transplante që sipas Martyt janë kryer në një shtëpi të quajtur Shtëpia e Verdhë që ndodhet në veri të Shqipërisë, shefi i ekzekutivit, ish-kardiokirurg i njohur, bëri me dije se “Duhet të jesh i verbuar e të mos kesh abc-në më elementare të procesit se si merret organi, që të pretendosh se në familjen Katuci, në një shtëpi fshati, qenkan marrë organe”. “Është krimi më i rëndë në listën e krimeve kundër njerëzit. Ndaj dua të informoj se EULEX ka pranuar që të hetojë dhe jam shumë i kënaqur. Pikërisht për këtë, delegacioni ynë, duke qenë dakord me asgjë tjetër në atë raport të shkruar nga Vukçevic, siç thotë vetë ai se raporti im është pothuajse tërësisht në raportin e Dick Marty, por i gjetur para faktit se, në qoftë se do të votonim kundër, ne faktikisht do t’i kundërviheshin hetimit, votoi pro hetimit, natyrisht, me asnjë fjalë tjetër të atij raporti racist, i cili merret me përshkrimin e bërë nga antropologë, nga etnologë më racistë të doktrinës antishqiptare serbe”, tha kryeministri Berisha. Ai garantoi komunitetin ndërkombëtar se Shqipëria do t’i japë mbrojtje të plotë totale çdo dëshmitari që do të kërkohet. “Dick Marty ka bërë dje një deklaratë të rëndësishme, duke deklaruar se do të japë dëshmitarët, në qoftë se do të kenë mbrojtje. Unë dua të garantoj komunitetin ndërkombëtar se Shqipëria do t’i japë mbrojtje të plotë totale çdo dëshmitari që do të kërkohet. Këtu ne qëndrojmë. Ftoj vende të tjera, të cilat nuk mund të pranojnë kurrë krimet kundër njerëzimit, të bëjnë të njëjtën gjë”, nënvizoi shefi i qeverisë. Sipas kryeministrit pavarësisht se akuzat në fjalë të raportit të Dick Martyt janë hetuar më parë, ai siguroi se qeveria shqiptare është plotësisht e vendosur të lejojë hetimin e çdo pëllëmbe të këtij territori. “Shpreh përçmimin tim për pjesën ku ai akuzon indirekt personalitete të shquara, disa prej të cilëve në shpirtin e tyre, në karrierën e në jetën e tyre kanë pasur gjithmonë përkushtim liritë e të drejtat e njeriut”, tha kryeministri më tej. NOA

KOMENTE