Beograd, 26 janar, NOA - Raportuesi për mbrojtjen e dëshmitarëve në Ballkan, deputeti nga Monako, Zhan Sharl Gordeto, i cili në raportin e tij, dëshmitarët e gjallë i ka pezantuar si të vrarë, nuk shpreh kurrfarë keqardhje për këtë gabim të rëndë, por vetëm thotë se është një "konfuzion"!
I pyetur se si ndodhi që në opinion të paraqiten personat për të cilët ai ka theksuar se janë të vrarë, Gordeto thotë: "Ka pasur konfuzion rreth disa emrave, por sidoqoftë, ka dëshmitarë të vrarë në Kosovë", tha Gordeto për gazetën serbe "V. novosti".
Gordeto vlerëson se situata në Kosovë është më e keqe sa i përket dëshmitarëve të mbrojtur, duke shtuar se "praktikisht nuk ekziston asnjë element i mbrojtjes së duhur të dëshmitarëve". Mes tjerash, thotë ai, nuk ekziston ligji që rregullon këtë fushë.
“Ata që vendosin të dëshmojnë me të vërtetë marrin përsipër një rrezik të madh. Disave madje edhe jeta u është rrezikuar. Kërcënimet dhe sulmet ndaj dëshmitarëve shpesh mbesin të padënuar. Njësiti i EULEX-it për mbrojtjen e dëshmitarëve nuk ka burime të mjaftueshme, as forca policore të specializuara për këtë qëllim. Lirisht mund të thuhet se në Kosovë, në kuptimin e mbrojtjes së dëshmitarëve ekziston një boshllëk i vërtetë", thotë Gordeto.
NOA