English

Hapet Zyra e Informacionit Turistik në Elbasan

Elbasan, 26 Janar 2011 NOA - Me mbështetjen e USAID dhe AMC, Bashkia e Elbasanit hapi sot në qendër të qytetit Zyrën e Informacionit Turistik, në vijim të përpjekjeve të saj të vazhdueshme për promovimin e vendeve dhe bizneseve turistike lokale.

Kjo zyrë do të ofrojë shërbim informimi profesional pa pagesë dhe të një cilësie të lartë për gjithë turistët dhe vizitorët. Turizmi është një sektor i rëndësishëm në ekonominë e Elbasanit, që sjell punësim dhe mbështet zhvillimin ekonomik të shumë bizneseve në qytet.

Në fjalën e tij gjatë aktivitetit, Kryetari i Bashkisë z. Qazim Sejdini theksoi rëndësinë e kësaj zyre për qytetin dhe bizneset e turizmit.

Zyra e Informacionit Turistik është një partneritet publiko-privat mes Bashkisë, USAID, AMC dhe një kompanie private. Programi i USAID për Qeverisje Vendore zhvilloi strukturën e organizimit dhe menaxhimit të kësaj zyre.

Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar mes palëve, Bashkia e Elbasanit do ta ketë në pronësi këtë zyrë dhe do te ketë autoritetin e mbikëqyrjes së punës së saj.

Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, z. Joseph Williams, foli për rëndësinë e zhvillimit të partneriteteve publiko-private për nxitjen e zhvillimit ekonomik vendor në Elbasan. Ai inkurajoi Bashkinë dhe bizneset lokale për krijimin e partneriteteve të tjera në të ardhmen.

Pas ceremonisë së hapjes së Zyrës Turistike, Kryetari Sejdini dhe Drejtori i Misionit të USAID-it, z. Williams vizituan lagjen Qemal Stafa, ku po kryhen punime për përmirësimin e infrastrukturës së saj. Me mbështetjen e USAID, projekti u financua nga një hua e marrë në BKT me vlerën 64 milionë lekë.

USAID gjithashtu ka mbështetur kompjuterizimin e Departamentit të Taksave në Bashki, fushatën e vulës të sigurisë për pagimin e taksave me mbështetjen Shoqatës së Biznesit të Vogël të Elbasanit, dhe përfundimin e Planit të të rishikuar të Zhvillimit Strategjik të Bashkisë.

Programi i Qeverisjes Vendore në Shqipëri (LGPA) i USAID punon me dhjetë bashki partnere në të gjithë Shqipërinë për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë vendore, përmirësimin e qeverisjes dhe forcimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe sektorit privat në zhvillimin vendor.

Bashkitë partnere të LGPA janë Elbasani, Fieri, Fushë Kruja, Gramshi, Korça, Kukësi, Lezha, Librazhdi, Pogradeci, dhe Shkodra.

e.r/NOA

KOMENTE