E mërkurë, 26 janar 2011, NOA- Gjatë një interviste të dhënë për Deutche Welle ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller Holtkemper thekson se Shqipëria duhet të respektojë parimet e shtetit ligjor.
Sipas saj në një shtet ligjor, në demokraci kemi ndarje të pushteteve. Sistemi i drejtësisë luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për transparencën e ngjarjeve.
Zonja Ambasadore, situata në Shqipëri është e tensionuar, sidomos pas demonstratës së opozitës që u shoqërua dhe me trazira të dhunshme ku mbetën të vrarë 3 persona, ndërkohe që dhjetëra të tjerë janë plagosur. Si do ta vlerësonit këtë atmosferë që duket se na rikthen në ngjarje të tjera të ngjashme gjatë viteve '90?
Humbja e jetëve njerëzorë është një gjë për të cilën na vjen vërtet shumë keq. Çdo viktimë në ngjarjet e fundit është një humbje e madhe. Ne i bashkohemi zisë dhe trishtimit të familjeve të viktimave. Ju keni të drejtë kur thoni se situate është shumë e tensionuar, por unë mendoj se historia nuk do të përsëritet. Kjo është një hsitori e re e cila vjen si pasojë e antagonizmit mes dy partive kryesore në vend, PD dhe PS, të cilat së fundmi e kanë transportuar bllokadën në rrugët e qytetit. Shpresojmë që në të ardhmen e afërt situate të shtensionohet, nga të gjitha palët të hiqet dorë nga dhuna dhde që të gjithë personat përgjegjës të politikës t'i zgjidhin problemet në rrugë paqësore. Të dyja palët duken të palëkundura në qëndrimet e tyre deri më tani. Bëjnë një vlerësim bardh e zi për atë që ka ngjarë më 21 janar në bulevardin qendror. Mazhoranca dhe opozita kanë paralajmëruar tubime që i konsiderojnë si paqësore për këtë fundjavë. Për hir të së vërtetës nga mazhoranca ka rivlerësim për ta shtyrë tubimin e së shtunës. E shikoni këtë si një shkas që tensioni dhe aktet jashtë kontrollit të përshkallëzohen?
Në atmosferën aktuale unë personalisht, por dhe kolegë të mi nga BE ose OSBE-ja gjykojmë se lëvizjet e ardhshme demonstrative janë vërtet shumë të rrezikshme. Ne të gjithë kemi zhvilluar biseda të gjata si me kryeministrin Sali Berisha ashtu dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe shefin e opozitës, Edi Rama të cilat kanë patur për qëllim rakordimin për të hequr dorë të paktën për momentin nga njoftimet për demonstrata ose ose lëvizje demonstrative të reja. Ky mesazh po i përcillet dhe dy partive kryesore në vend nëpërmjet të dërguarit të posaçëm të BE-së, si një thirrje që dy kundërshtarët të ruajnë qetësinë dhe se vetëm nëpërmjet dialogut konstruktiv Shqipëria mund të ecë përpara. Në këtë kontekst është një tregues inkurajues që ka gatishmëri për të hequr dorë nga tubimi i paralajmëruar prej PD-së dhe shpresojmë që edhe PS e pjesa tjetër e opozitës të bëjnë të njëjtën gjë. Para demonstratës antiqeveritare të së premtes që shkoi, por dhe pas saj ka patur intensitet të apeleve të ndërkombëtareve, që palët të përmbahen dhe të ulen për dialog. Por deri më tani këto mesazhe ose janë lexuar pjesërisht, ose nuk janë marrë në konsideratë. Sa besoni që i dërguari i posaçëm i baroneshës Ashton do të ketë sukses në misionin e tij aktual?
Ne të gjithë shpresojmë që udhëtimi i delegacionit të BE-së të jetë sa më i suksesshëm. Vijoj të kem ndjesinë se të dyja palët i kushtojnë rëndësi faktit, se ato kërkojnë vlerësim në BE. Të dyja palët i kushtuan rëndësi të madhe sqarimit të pozicionit të tyre përkundrejt ambasadorëve të BE-së dhe ambasadorit të OSBE-së. Kjo është një gjë shumë positive. Të dyja palët gjithashtu janë të vetëdijshme, se nëse Shqipëria kërkon të bëhet anëtar i BE-së, sigurisht që i duhet të ruajë dhe respektojë parimet e demokracisë dhe shtetit ligjor.
Zonja Ambasadore, me një vendim të parlamentit vetëm me votat e mazhorancës është ngritur dhe ka nisur nga puna një komision hetimor deputetësh për të zbardhur atë që ngjau më 21 janar dhe angazhimin e institucioneve në ato këto zhvillime. Mendoni se kjo iniciativë parlamentare do të ndikojë tek hetimet që është duke bërë prokuroria?
Natyrisht që ngjarjet e datës 21 janar duhet të sqarohen në mënyrë të plotë dhe në këtë kontekst ngritja e një komisioni hetimor parlamentar do të ishte një ndihmë. Por për fat të keq ky komision, siç e thatë dhe ju, u ngrit vetëm me votat e mazhorancës. Nuk do të thotë që me ngritjen e këtij komisioni ezaurohet të themi roli i sistemit të drejtësisë. Në një shtet ligjor, për fat të mirë në demokraci kemi ndarje të pushteteve. Dhe unë mendoj se sistemi i drejtësisë luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për transparencën e rasteve e ngjarjeve të tilla. Çdo komision, çdo strukturë tjetër që do të hetonte në këtë kontekst do të ishte një ndihmë e madhe, por sistemi i drejtësisë ka një rol të pazëvendësueshëm.
A keni ndonjë apel për klasën politike shqiptare në këto momente të ngarkuara me tension, zonja Ambasadore?
Shpresoj që të dyja palët, të dy partitë kryesore në vend të mund të përpiqen të kalojnë konfliktin mes tyre, në interes të tyre dhe në interes të vendit dhe shpresoj shumë që për fundjavën e ardhshme lëvizjet demonstrative, ose demonstratat e paralajmëruara, qofshin këto dhe me qëllimin më paqësor të mundshëm të paktën të mos zhvillohen për këtë periudhë. Përtej kësaj uroj që të dyja palët të gjejnë një raport dialogu politik konstruktiv mes tyre, i cili të zhvillohet brenda institucioneve, brenda parlamentit.
DW/NOA