English

Internacionalja Socialiste flet për situatën në Shqipëri

Bruksel, 26 Janar 2011 NOA - Internacionalja Socialiste, doli para pak me një deklaratë për publikun ku tha se në përputhje me qëndrimet e shprehura më parë, është gjithnjë e më e alarmuar nga përkeqësimi i situatës në Shqipëri.

Në takimet e saj, organizata thotë se e ka adresuar tanimë nevojën për të garantuar demokracinë në Shqipëri, duke përfshirë transparencën e administrimit të zgjedhjeve, llogaridhënien nga ana e pushteteve ekzekutive dhe legjislative, lirinë dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe medias dhe të drejtat dhe shanset e barabarta për qytetarët.

“Zbulimi më i fundit i abuzimit të rëndë në një rast që lidhej me Zëvendëskryeministrin Ilir Meta, çka çoi në dorëheqjen e tij, të çon edhe njëherë në drejtimin e apeleve tona të mëparshme për një demokraci dhe qeverisje të mirë në atë vend”, - thotë Internacionalja Socialiste.

Organizata rozë, denoncon vrasjen e tri protestuesve në Tiranë javën që shkoi gjatë një demonstrate në të cilën qytetarët shqiptarë shprehën shqetësimet e tyre pas këtyre zhvillimeve të fundit.

“Ne bëjmë thirrje për një hetim të menjëhershëm të këtyre vrasjeve dhe që autoritetet të ndalojnë të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi për këto krime”, - shprehet Internacionalja Socialiste.

Kurse mbyllet me thirrjen: “Apeli ynë Ndërkombëtar për një zgjidhje paqësore dhe demokratike të krizës aktuale e cila po e minon edhe më tej stabilitetin në vend dhe shpreh solidaritetin e saj të plotë për anëtarin e saj, Partinë Socialiste të Shqipërisë”.

e.r/NOA

KOMENTE