Intervista e plotë e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA për Europën dhe Euroazinë, Tom Kantrimen, për seksionin shqip të Zërit të Amerikës
Z.Countryman, qysh prej herës së fundit që jemi takuar, situata në Shqipëri është përshkallëzuar. Si e sheh qeveria e SH.B.A situatën tani? Sa të shqetësuar jeni?
E premtja e 21 Janarit ishte një ditë e trishtueshme për të gjithë shqiptarët dhe sidomos sepse tre njerëz humbën jetën e tyre në dhunën politike. Nuk ka fitues në këtë situatë. Ka vetëm humbës midis udhëheqësve politikë, popullit shqiptar, dhe imazhit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku ajo po përpiqet të anëtarësohet. Përpjekja e vazhdueshme për ta kthyer një situatë humbëse në një situatë fituese thjesht rrezikon më shumë dhunë.
Shtetet e Bashkuara, si një mik i mirë i Shqipërisë, ndajnë thellësisht shqetësimet që ne kemi sot për dhunën dhe rrezikun e përsëritjes se dhunës në Shqipëri. Për këtë arsye Ambasadori Arvizu, me mbështetjen e plotë të Departamentit të Shtetit, ka punuar ngushtë me Bashkimin Europian dhe OSBE-në, për t’iu dhënë partive mundësinë për t’u tërhequr, për të marrë frymë thellë, për të rivlerësuar situatën dhe për të qetësuar situatën.
Lidhur me veçantitë e situatës aktuale, ajo që do të thoja së pari është të përsëris ato çka Ambasadori Arvizu tha sot në konferencën e tij për shtyp që, me kërkesën e Prokurorisë, ne jemi të përgatitur të ofrojmë ndihmë teknike për një hetim të drejtuar nga shqiptarët por me ndihmë teknike nga Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë, në mënyrë që përgjegjësia për dhunën, për vdekjet e së premtes, mund të përballohet në mënyrë ligjore dhe që përmbush standardet europiane. Idealisht, kjo i jep secilës parti një mundësi për të thënë se shqetësimet e tyre për atë dhunë po trajtohen në mënyrë të paanshme dhe të pavarur.
Meqenëse e përmenda, kjo është e rëndësishme jo vetëm për situatën aktuale politike, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve shqiptare. Është me rëndësi jetike që një institucion i pavarur si Prokuroria të jetë në gjendje të bëjë punën e saj, të ketë mundësinë e kryerjes së një hetimi të besueshëm mbi atë që ndodhi të premten e kaluar. Së dyti, ne e përshëndesim vendimin e Kryeministrit për të anuluar demonstratën që Partia Demokratike kishte programuar për këtë të shtunë. Pasi Ambasadori Arvizu dhe Assistenti i Sekretares së Shtetit Philip Gordon folën me të sot, ai arriti në një vendim që unë mendoj se është në përputhje me atë që nevojitet sot për të qetësuar situatën, shmangia e rritjes së tensionit. Prandaj ne e mirëpresim këtë vendim prej burri shteti.
Me sa kam kuptuar, gjatë orëve të fundit, kryetari i Partisë Socialiste, Z.Rama, ka deklaruar qëllimin për të mbajtur demonstratën paqësore të së premtes. Unë kam respekt të plotë për Z.Rama, por dua ta them hapur, ky është një gabim. Ajo që mbizotëron në Shqipëri tani është një atmosferë shumë e ngarkuar, ndaj edhe me qëllimet më të mira, edhe me synimin për të mbajtur një protestë paqësore të premten e kaluar, pati dhunë. Është e vështirë për këdo udhëheqës politik që të premtojë se do të ketë protestë paqësore kur planifikohet për t’u zhvilluar në një klimë kaq të ngarkuar dhe të nxehtë. Unë e di që protesta ka për qëllim nderimin e njerëzve që u vdiqën javën e kaluar. Jam shumë i shqetësuar që me vazhdimin e këtyre protestave, nëse ka dhunë, në vend që të nderohen viktimat, do të ishte një çnderim për ta viktimat e dhunës javën e kaluar.
Le të përqendrohemi pak në hetimin e të gjithë procesit. Ka shumë teori sesi Shqipëria arriti në këtë pikë, por situata është kjo që është, ndaj dhe hetimi është shumë i rëndësishëm në këtë moment. Të dyja anët citojnë zyrën e Prokurorisë, por a mendoni ju se Prokuroria ka një mjedis të përshtatshëm për të punuar e për të kryer hetimin e duhur?
Së pari ne jemi të kënaqur që Prokuroria e Përgjithshme e bëri atë kërkesë, dhe që ne mund t’i përgjigjemi pozitivisht, ndonëse duhet të kuptoni se hollësitë e asaj çka do të ofrojmë nuk janë ende përfundimtare. Ne jemi të kënaqur që Kryeministri e mirëpriti përgjigjen tonë pozitive ndaj kërkesës, që udhëheqësi i opozitës e mirëpriti përgjigjen tonë ndaj kërkesës. Unë mendoj se të gjitha partitë, të gjithë aktorët e rëndësishëm në Shqipëri, e kuptojnë se një hetim i paanshëm, me ndihmë teknike nga jashtë, është një pjesë kyçe e zgjidhjes së dilemës politike aktuale. Dhe, për sa kohë partitë politike janë dakord me këtë gjë, dhe e lejojnë Prokurorinë që të vazhdojë punën e saj, mendoj se do të kemi një përgjigje që do të ndihmojë në qetësimin e situatës e do të nxjerrë në pah llojin e dialogut dhe kompromisit për të cilin kemi nevojë.
A mendoni se në një atmosferë kaq të ngarkuar, pas gjithë sulmeve midis Ramës dhe Berishës, të cilat janë bërë pothuajse personale, këta dy udhëheqës mund të ulen dhe të negociojnë me njëri tjetrin? A është kjo e mundur?
Do të thoja që në politikë çdo gjë është e mundur. Mendoj se ndaj me pjesën më të madhe të shqiptarëve zhgënjimin që politika është bërë personale dhe e egër, jo mbi ide, jo mbi një garë midis dy partive që e bëjnë të qartë qëndrimin e tyre, por për sulme dhe kundërsulme. Në njëfarë mënyre, kjo nuk pasqyron llojin e shtetit europian që Shqipëria dëshiron të jetë. Nga ana tjetër, unë kam parë armiq, me një të kaluar më të tmerrshme sesa ajo e këtyre dy partive, të ulen së bashku dhe të bëjnë kompromis në të mirë të popullit të tyre. Dhe kjo është ajo që ne do donim të shihnim tani. Më e rëndësishme se sa ajo që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian do donin të shihnin, më e rëndësishme se kjo, është ajo që shqiptarët duan të shohin. Jam i bindur që nuk duan të shohin më shumë dhunë. Nuk duan të shohim fyerje të mëtejshme. Ata duan të shohin udhëheqës që kanë forcën e mjaftueshme personale për të folur me njëri tjetrin dhe për të bërë kompromise.
Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Mendoni se zgjedhjet e parakohshme janë në ndonjë mënyrë zgjidhja e problemit?
Jo.
Si ndikon në imazhin e Shqipërisë fakti që një vend anëtar i NATO-s dhe që aspiron për anëtarësim në Bashkimin Europian, nuk kryen dot një hetim të thjeshtë? Po i referohem këtu videos, videos së skandalit mbi korrupsionin por edhe protestën?
Këtu ka dy çështje. Mendoj se e thatë drejtë që nuk është diçka e mirë për imazhin e Shqipërisë dhe kjo është arsyeja përse unë e thashë që në fillim që ka vetëm humbës. Askush nuk ka dalë fitues. Dhe përpjekja e njërës palë apo tjetrës për të gjetur fitoren në humbjen e përgjithshme është në fakt një hap prapa.
Por lidhur me aftësinë e institucioneve shqiptare për të kryer një hetim, unë jam pozitiv në këtë pikë. Unë mendoj se institucionet e pavarura në Shqipëri janë të afta për të kryer një hetim të besueshëm. Ajo që duhet është që politikanët të ndalojnë së përdoruri përpjekjet e Prokurorisë si një mjet politik. Kjo çështje është ligjore. Kjo është një çështje mbi llojin e shtetit që Shqipëria dëshiron të bëhet. Nuk është një mjet që një parti të godasë tjetrën. Partitë duhet të hapin rrugën, të bashkëpunojnë me Prokurorinë dhe të lejojnë vazhdimin e hetimit.
Cilin shihni si hapin e radhës për vendin, për Shqipërinë?
Mendoj që hapi tjetër duhet të jetë qetësimi i klimës. Jo më demonstrata, më pak retorikë. Në të njëjtën kohë, një hap i rëndësishëm është që të lejohet Prokuroria që të bëjë punën e saj dhe të përcaktojë faktet. Përtej kësaj, është e nevojshme që të dyja partitë të angazhohen për të pasur një fushatë elektorale të pastër, të ndershme dhe transparente për zgjedhjet vendore të majit. Dhe kjo varet jo vetëm nga dy partitë, por varet nga të gjitha partitë në Shqipëri dhe gjithashtu varet edhe nga qytetarët shqiptarë. Jua thashë edhe më parë se nëse qytetarët vendosin që këto zgjedhje i përkasin popullit dhe jo partive, dhe nëse vëzhgojnë zgjedhjet në mënyrë që ato të jenë të pastra dhe të drejta, ata do të bëjnë një hap të madh përpara zgjidhjes së krizës politike dhe do të tregojnë atë që unë e di që është e vërtetë, që Shqipëria është plotësisht e aftë për të qenë një anëtare moderne e Bashkimit Europian.
Shqiptarët i shohin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian si zgjidhjen e problemeve të tyre. Çfarë tjetër mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur situatën?
Në një plan afatgjatë, gjëja më e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë në Shqipëri është që të bindin shqiptarët të ndalojnë së shikuari Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian si zgjidhjen e problemeve të tyre. Këto janë çështje që në një vend demokratik europian dhe anëtar të NATO-s duhet të jetë në gjendje t’i zgjidhe brenda sistemit të vet politik. Është thelbësore që qytetarët shqiptarë të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre kompromis paqësor, zgjidhje të qendrës. Por kjo nuk arrihet menjëherë.
Është diçka fatkeqe, por unë e kuptoj se është e vërtetë që në situatën aktuale të zhvillimeve politike, Shqipëria varet më shumë se ç’duhet nga Shtetet e Bashkuara për të trajtuar probleme që duhet të gjejë një mënyrë t’i trajtojë vetë. Në të ardhmen e afërt ne do të ndihmojmë me këtë hetim, ne do të vazhdojmë të flasim me të dyja partitë, do të vazhdojmë të flasim për uljen e klimës së nxehtë dhe do të punojmë me të gjitha partitë, me organizatat qytetare, me OJQ-të dhe me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, për të ndihmuar që zgjedhjet lokale të majit të jenë të pastra, të jenë transparante dhe t’i përkasin popullit shqiptar.
Fund