English

Lajçak: BE kërkon t'i jepet fund dhunës

Tiranë, 26 janar, NOA – I dërguari i Përfaqësueses së Lartë të BE, Mirosllav Lajçak tha sot se palët duhet të mos ndërmarrin akte që cenojë stabilitetin e vendit dhe duhet të hetojnë vrasjet e 21 janarit.

“Unë u kërkova përfaqësuesve politikë; parandalimin e ndonjë dhune të mëtejshme, respektin për institucionet shtetërore, përgjegjësi për ata që shkaktuan vdekjet, shmangien e ndonjë veprimi që mund të shtyjnë këtë boshllëk dhe ndan skenën politike shqiptare dhe në fund kthimi i Shqipërisë në udhën e saj evropiane”, tha në një konferencë të shkurtër për mediat, i dërguar i BE-së, Miroslav Lajçak.

Ai ka theksuar se baronesha Kathrin Ashton dhe komisoneri Stafan Fule janë të gatshëm të vijnë në Shqipëri, nëse kjo gjë kërkohet. Ndërsa ka theksuar se drejtuesit politikë në vend e dinë se çfarë duhet të bëjnë dhe BE-ja pret që ata të veprojnë në mënyrën e duhur.

“Sot unë u takova me udhëheqësit kryesorë politikë të vendit tuaj, për tu shprehur atyre shqetësimin tonë për situatën e tanishme në të cilën ndodhet Shqipëria. Unë theksova vendosmërinë për të vendosur qetësinë dhe respektin për shtetin e së drejtës”, tha Lajaçak.

Duke u shprehur ngushëllimet familjeve që humbën të afërmit e tyre në demonstratën e 21 janarit, Lajcak tha se “BE kërkon të shikojë një fund të dhunës, një ulje të përshkallëzimit. Nuk është mënyra evropiane e të zgjidhur të çështjeve europane ajo që pamë ditën e premte”, tha Lajçak.

a.k/NOA

KOMENTE