Tiranë, 26 janar, NOA – I dërguari i BE-së për situatën politike në Shqipëri ka deklaruar se komuniteti evropian e njeh qeverinë e kryeministrit Berisha si një qeveri legjitime dhe ka bërë apel për gjetjen e një zgjidhje për normalizimin e situatës.
“Zoti Lajcák i rikonfirmoi kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian duke theksuar së ajo e konsideron qeverinë Berisha si partner dhe qeveri legjitime të Shqipërisë si dhe vlerësoi si një akt përgjegjësie të lartë nga ana e kryeministrit vendimin për mos mbajtjen e manifestimit të ditës së shtunë duke theksuar se ky qëndrim duhet të ndiqet edhe nga opozita”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për takimin mes Lajçak dhe kreut të qeverisë.
Kryeministri Berisha i paraqiti zotit Lajcák një ekspoze të ngjarjeve që çuan në përpjekjen e dhunshme të 21 janarit dhe mbi pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me situatën. Duke shprehur falënderimin për mbështetjen dhe interesin për hetimin, Sipas njoftimit të kryeministrisë, Berisha e siguroi Lajcák se qeveria shqiptare mbështet një hetim të plotë, objektiv, profesional, e mbi të gjitha të paanshëm të ngjarjeve. “Kryeministri siguroi gjithashtu për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend, përkarshi çdo tentative për shkeljen e tyre”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër Lajcák u shpreh se BE kërkon nga palët, shmangien e organizimit të protestave për të evituar përshkallëzimin e akteve të dhunshme kundër institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor.
“BE kërkon nga të gjitha palët rivendosjen e dialogut politik në Parlament për të vijuar ecjen përpara me axhendën e integrimit evropian veçanërisht atë të statusit të vendit kandidat dhe përqendrimin të gjitha energjive në përgatitjen për zgjedhjeve lokale të 8 majit”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë për deklaratën e Lajçak.
a.k./NOA