E mërkurë, 26 janar 2011, NOA- Ibrahim Makolli njëri prej anëtarëve më të lartë i AKR-së, deklaroi se Rezoluta e KE-së dëmton rëndë imazhin e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
“Këshilli i Europës që ka miratuar me dhjetëra dokumente për të drejtat e njeriut, i bën gjyqin njërës palë pa e lejuar që ta thotë fjalën e vet, kjo është në kundërshtim edhe me konceptin e KE-së. Kjo Rezolutë fyen dhjetëra e mijëra viktima të masakruara nga kasapët e Millosheviçit, jo vetëm në Kosovë”, deklaroi Makolli.
Sipas tij, “Është për keqardhje që Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Europës dje i ka bërë gjyqin një populli që ishte viktimë e krimeve monstruoze dhe gjenocidale të regjimit të Millosheviçit”, u shpreh Makolli.
Ai theksoi më tej para mediave se me këtë rezolutë, viktima jo vetëm që barazohet me kriminelin, por shndërrohet në kriminel.
a.y/NOA