Prishtinë, 26 Janar 2011 NOA - Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tribunën e radhës me temën “Modeli i shtetit zhvillimor”, referues i së cilës ishte Blendi Kajsiu, doktorant në Universitetin e Eseksit në Britaninë e Madhe.
Ai e filloi ligjërimin duke e analizuar modelin aktual në Kosovë, pra modelin neoliberal, i cili po zbatohet nga ndërkombëtarët sot në Kosovë dhe karakteristikat kryesore të tij, siç janë supremacia e tregut, tregtia e lire, investimet e huaja si prioritet, privatizimi i pasurive publike, shteti minimal etj.
Duke i analizuar këto karakteristika, Kajsiu spjegoi efektet negative që këto kanë në ekonominë e Kosovës. “Tregtia e lirë ka efekt pozitiv, në vendet me të njëjtin nivel zhvillimi, por negative në vende me zhvillim të ndryshëm,sepse vendi që është me zhvillim më të ulët do të shndërrohet në ekonomi subsidiare në funksion të ekonomisë së zhvilluar, duke pësuar deficit tregtar”. Kjo u ilustrua me shembuj nga Shqipëria, e cila tregton me BE-në, duke pësuar deficit milionësh çdo vit. Gjithashtu ai shpjegoi se si investimet e huaja janë ato që zakonisht e ndjekin zhvillimin ekonomik, por nuk e krijojnë atë. Për më tepër liberalizimi i tregut të kapitalit i lejon investitorët, që kapitalin e fituar ta nxjerrin nga vendi lirisht, me ç’rast ekonomia e vendit dëmtohet.
Si model alternativ, Blendi Kajsiu propozoi Modelin e shtetit zhvillimor, i cili nuk do të jetë vetëm spektator, por edhe aktor dhe faktor në zhvillimin ekonomik të vendit. Shteti duhet të ketë rol koordinues dhe orientues për ta përcaktuar një strategji afatgjatë zhvillimi, duke e stimuluar kërkimin, edukimin dhe diplomimin në ata sektorë industrialë, drejt të cilëve kërkon të zhvillojë ekonominë. Pikat kryesore me të cilat arrihet kjo janë: kreditimi i zhvillimit, mbrojtja dhe subvencionimi i prodhimit vendas, ruajtja e sektorit publik, përzgjedhja e investimeve të huaja etj. Esenca e këtij modeli është se zhvillimi buron nga Brenda, tha Kajsiu, duke potencuar faktorët e brendshëm të prodhimit si më të rëndësishëm, sesa investimet nga jashtë. Ndërsa thelbi i këtij modeli është optimizmi politik dhe vetëbesimi, sepse nëse nuk ka vetëbesim nuk mund të realizohet asnjë zhvillim.
Qytetarët e Kosovës duhet të kujtojnë se gjithë këto vite pas lufte, zhvillimi kryesor i Kosovës ka ardhë nga remitancat e qytetarëve të Kosovës jashtë shtetit shumë më tepër sesa nga investimet e huaja, përfundoi Blendi Kajsiu.
a.b/NOA