English

Ambasada Amerikane: Qytetarët amerikanë të kenë kujdes nesër

Tiranë, 27 janar 2011, NOA – Pas takimit kokë më kokë mes Ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu me kryeministrin Sali Berisha, Ambasada Amerikane u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të bëjnë kujdes në 28 janar, pra nesër, kur do të mbahet demonstrata e opozitës. Në një njoftim për shtyp, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë u kërkon qytetarëve amerikanë që jetojnë e punojnë në Shqipëria të pakësojnë lëvizjet ditën e nesërme.
Ky njoftim pikërisht për datën 28 janar, vjen pas degjenerimit të demonstratës së 21 janarit në akte dhune e vrasjen e tre demonstruesve.
Por, mund të mendohet se thirrja lidhet edhe me mosmarrjen përsipër nga Policia e Shtetit të garantimit të demonstratës së opozitës këtë të premte me argumentin se pas tubimit të 21 janarit, zhvillimi i një tubimi homazh, përbën rrezik për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
Për shkak të demonstratës së opozitës, Ambasada e SHBA-ve ka njoftuar se ditën e premte në 28 janar do të mbyllet, pasi vetë ambasadori amerikan ishte shprehur edhe më herët se në këtë moment demonstratat janë jo rruga e duhur për zgjidhjen e situatës, por sipas tij mund të bëhen edhe shkak për ngjarje të tjera të rënda.
mit/NOA

KOMENTE