English

Ambasada e SHBA: Demonstrata mund të jetë e dhunshme

Tiranë, 27 Janar 2011 NOA Update - Demonstrata e ditës së nesërme ka bërë që Ambasada Amerikane në Tiranë të marrë masa për të informuar qytetarët e saj. Në një njoftim të publikuar në faqen e internetit të ambasadës u bëhet apel qytetarëve që të limitojnë udhëtimet në kryeqytet për ditën e nesërme dhe tu shmangen tubimeve politike gjatë ditëve në vijim.

Ambasada i referohet protestës së dhunshme të ndodhur më datën 21 janar dhe kërkon nga qytetarët amerikane që të tregohen të kujdesshëm.

“Ambasada ka mësuar se Partia Socialiste (PS) ka aplikuar për një leje në Policinë e Shtetit Shqiptar për të mbajtur një demonstrim publik në qytetin e Tiranës të premten më 28 janar. Ambasada nuk ka informata specifike për skenën e demonstratës, por raportet e medias tregojnë së demonstruesit mund të mblidhen nga 10 drejtime në gjithë qytetin për të marshuar në rrugën kryesore”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Po ashtu Ambasada njofton se në demonstratën e kaluar kanë përfshirë “të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit dhe qendrën rreth Parlamentit, zyrës kryesore të Kryeministrit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ambasada sjell në vëmendje të opinionit faktin se në demonstratën e 21 janarit gjetën vdekjen 3 persona dhe u lënduan shumë të tjerë, duke përfshirë edhe punonjës të policisë.

Në vlerësimin e situatës në Shqipëri për qytetarët amerikan theksohet se në vitet e fundit në këtë vend janë bërë shumë demonstrata paqësorë, por ato mund të kthehen papritur në të dhunshme dhe mund të jenë të rrezikshme.

“Ne u kujtojmë qytetarëve të SHBA-së se demonstrata edhe pse kanë qëllim të jenë të qeta mund të kthehen në të dhunshme dhe të paparashikueshme. Ju duhet t’i shmangni ato nëse është e mundshme”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Nga ana tjetër selia diplomatike e SHBA-së thekson se demonstratat mund të zhvillohen edhe në qytete të tjera, ndaj dhe fton qytetarët e SHBA-së që të jenë të vëmendshme ndaj raportimeve të medieve për zhvillimin e tubimeve.

Ndërsa për qytetarët amerikane që kanë planifikuar të vijnë në Shqipëri, ambasada kërkon që ata të monitorojnë faqen e internetit të ambasadës për të marrë informacione.

Gjithashtu për nesër, ambasada jep dhe njoftimin e saj të mëparshëm që ka të bëjë me mbylljen e saj gjatë ditës së nesërme. “Ambasada do të mbyllet të premten, në 28 janar dhe këshillon personelin që të kufizojë të gjitha udhëtime e panevojshme gjatë protestave”, thuhet në njoftim.

e.r/NOA

KOMENTE