Tiranë, 27 janar 2011, NOA – Delegacioni i Bankës Botërore i kryesuar nga Menaxheri për Shqipërinë dhe Rajonin për sektorin e Energjisë, dhe shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë ka vlerësuar sot punën e mirë të institucioneve shqiptare në fushën e energjisë dhe progresin e bërë së fundmi në sektorin e transmetimit të energjisë dhe sigurinë e digave. Banka Botërore ka akorduar një financim të rëndësishëm në sektorin e Energjisë prej 165 milion USD, ndërkohë që pritet miratimi i financimeve shtesë prej 22 milion USD.
Gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit shprehu mirënjohjen për ndihmesën e madhe të Bankës Botërore në rritjen e kapacitetit të prodhimit të energjisë në hidrocentralet ekzistuese, si edhe theksoi interesin e qeverisë shqiptare për investime të mëtejshme në projektin e sigurisë së digave, një nismë e rëndësishme kjo pas përmbytjeve të pazakonta të dhjetorit të vitit të shkuar.
Shefi i Ekzekutivit vuri në dukje nevojën për financimin e projekteve rajonale në fushën e energjisë duke përmendur potencialet komplementare të Shqipërisë me Kosovën, si edhe me vendet e tjera të rajonit.
Po aq e rëndësishme, sipas Kryeministrit është edhe përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në projekte të tjera, për furnizim me energji të financuara nga BE.
Në krye të takimit me Delegacionin e Bankës Botërore shefja e zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, shprehu keqardhjen për ngjarjet e fundit që pasuan demonstratën e 21 janarit, ku përveç akteve të dhunës u shënuan edhe tre të vrarë nga turma e demonstruesve.
Përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri shprehu besimin për një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.
mit/NOA