English

Borg-Haxhinasto flasin për situatën (VIDEO)

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Haxhinasto zhvilloi bisedime me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maltës, z. Tonio Borg

Tiranë, 27 Janar 2011 NOA/ Update Ervin Tirana - Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, sot, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, priti në takim dhe zhvilloi bisedime me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maltës, z. Tonio Borg.

Ecuria shumë e mirë e marrëdhënie dhe bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit në rajon e më gjerë, ishin në qendër të bisedimeve.

Ministri Haxhinasto, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme e të sinqertë të Maltës në çdo etapë të procesit për realizimin e reformave dhe progresin e axhendës evropiane të Shqipërisë dhe sidomos mbështetjen e saj në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm maltez, duke vlerësuar politiken dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, siguroi për vijimësinë e mbështetjes së vendit tij për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE.

Në kuadër të thellimit të marrëdhënieve politike të dy bashkëbiseduesit ranë dakord për intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimit të vizitave në të gjitha nivelet, si dhe për nënshkrimin së afërmi të Traktatit të Miqësisë. Në kuadër të thellimit dhe institucionalizimit të mëtejshëm të bashkëpunimit diplomatik, dy Ministrat shprehën gadishmërinë të punohet për përgatitjen dhe nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes dy Ministrive të Punëve të Jashtme.

[media id=42 width=620 height=440]

Palët biseduan, gjithashtu, dhe ranë dakord për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të ndërsjellë, si në fushën e ekonomisë, turizmit, arsimit, teknologjive të informacionit, nëpërmjet pasurimit të vazhdueshëm të kuadrit juridik, organizimit të forumeve të përbashkëta, si dhe nxitjes dhe intensifikimit të kontakteve mes institucioneve të dy vendeve tona. Një fokus i veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve qeveritare (e-governance), fushë në të cilën Malta është një vend lider në Evropë.

Në kuadrin shumëpalësh, dy bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, si në OKB, OSBE etj, të mbështesin kandidaturat e ndërsjella, si dhe për fuqizimin e partneritetit në hapësirën euro-mesdhetare.

Në përfundim të bisedimeve, dy ministrat, nënshkruan marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maltës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, si dhe Protokollin ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maltës për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Europian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar.

e.t/NOA

KOMENTE