E enjte, 27 janar 2011, NOA- Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Erhard Buhler para Komitetin Ushtarak të NATO-s, e ka vlerësuar situatën e përgjithshme në Kosovë si të qetë dhe stabël.
Komandanti i KFOR-it ka thënë gjithashtu se, Policia e Kosovës e përkrahur nga EULEX-i është në përgjithësi e aftë të kontrollojë rendin publik dhe të kontrollojë shqetësimet e vogla.
“Prandaj, edhe pas riorganizimit të KFOR-it dhe reduktimit të numrit të ushtarëve, KFOR-i do të vazhdojë të ketë kapacitete të mjaftueshme të përkrahë EULEX-in dhe PK-në në rast të trazirave të mëdha”, deklaroi ai.
Gjatë ditës së mërkurë Buhler, në Bruksel ai ka informuar Komitetin Ushtarak të NATO-s për situatën në Kosovë dhe kontributin dhe progresin e KFOR-it në stabilitetin e sigurinë në Kosovë.
Ndërsa lidhur me veriun e Kosovës, Buhler ka thënë se situata e sigurisë është përmirësuar për shkak të operacionit të quajtur “Vendosmëri e Përbashkët për Veriun” nga KFOR-i, PK-ja dhe EULEX-i, që nga tetori i vitit 2010.
Gjenerali Buhler gjithashtu ka vlerësuar situatën në kufij dhe vijën kufitare administrative.
Ai ka shtuar se KFOR-i është dhe do të mbetet përgjegjës për vijën kufitare administrative.
a.y/NOA