English

Pasqyra e Shtypit, 27 Janar 2011

Tiranë, 27 Janar, NOA - Gazetat shqiptare janë të mbushura kryesisht me artikuj që flasin sërish mbi gjithçka ndodhi në demonstratën e 21 Janarit, duke përfshirë reagimet e fundit të SHBA-ve dhe BE-së.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Na pështynin dhe na qëllonin/ Metodat e Arkanit me të arrestuarit e 21 Janarit”, i cili tregon dëshmitë e një demonstruesi të arrestuar.

“Arrestohet Agron Troksi, i makinës me eksploziv të Olldashit”, është një artikull tjetër që tregon dëshminë e shoferit të makinës që mbeti në derë të Kryeministrisë gjatë 21 Janarit.

“Lista e CEZ, për çdo qytetar që është ankuar për energjinë elektrike” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Hetimi i 21 Janarit/ Ekspertët e FBI në Tiranë, Garda nuk jep të gjitha armët” i cili flet për mbërritjen e ekspertëve amerikanë, mbi hetimin e 21 Janarit.

“SHBA: Prokuroria të gjejë përgjegjësit për vrasjet, jo zgjedhje të parakohshme”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Si e xhiruam filmin ‘Duel i Heshtur’ para 44 vitesh”; “Dëmin në bujqësi nga përmbytjet, 4 milionë euro”; “Pagat e mjekëve, skema e re e llogaritjes” etj.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Flet Dritëroi: Demonstrata tundi shtetin që vrau njerëzit”, i cili citon deklaratat e bëra nga figura e njohur e socialistëve, shkrimtari Dritëro Agolli, mbi dhunën e 21 Janarit.

“Të premten, demonstrata me karafila dhe qirinj për viktimat” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar planit të opozitës për nesër në shesh.

Kurse “SHBA: Protesta? Rama gaboi, Jo zgjedhje të parakohshme, Berisha, burrë shteti”, flet për reagimin e SHBA-ve mbi demonstratën e 21 Janarit.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Diplomacia lëviz, kriza thellohet”, i cili tregon sesi ndërkombëtarët e SHBA-ve apo ata të BE-së po negociojnë duke dhënë porosi për qetësimin e situatës së nxehur politike në vend.

“Pëllumbi: Berishës i duheshin të vrarët për skenarin e grushtit të shtetit” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili citon deklaratat e figurës së njohur tradicionale të socialistëve.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “20 milionë dollarë për ish-të dënuarit politikë”, “Nis verifikimi i kamerave, arrestime të tjera në radhët e demonstruesve” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “BSHBA: JO zgjedhje të parakohshme”, i cili pasqyron reagimin e zv/ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Tom Kantrimen për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Arvizu: Berisha, një burrë shteti/ Rama na zhgënjeu”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Ambasada gjermane: Një protestë e dytë, vërtet shumë e rrezikshme”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 27 Janar 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE