Tiranë, 27 janar, NOA – Komisioni Hetimor për ngjarjen e 21 janarit do të kërkojë nga Policia Bashkiake e Tiranës që të jap informacion në lidhje me aktivitetin e efektivave të saj për ngjarjet e dhunshme që ndodhën në demonstratë.
Kërkesa është bërë nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili tha se drejtuesit e këtij institucioni, si një prej agjencive që ka rol kryesor në kryeqytet, duhet të informojnë Kuvendin.
“Policia Bashkiake e Tiranës të na informojë gjatë kohës para demonstratës, gjatë kësaj periudhe dhe pas periudhës së rrethimit të datës 21 janar”, deklaroi Alibeaj.
Deputeti Gent Strazimiri u shpreh se ka informacione se efektiva të Policisë Bashkiake të Tiranës kanë qenë në demonstratën e opozitës, por edhe efektiva nga polici bashkiake të qyteteve të tjera si Fieri, Gjirokastra, etj.
Kryetari i Komisionit Eduard Halimi deklaroi se “është detyrë që dhe informacioni i Policisë Bashkiake të bëhet pjesë e kësaj çështje”. Nga ana tjetër u kërkua që të merret dhe informacioni nga mediat që kanë mbuluar ngjarjen.
a.k/NOA