E enjte, 27 janar 2011, NOA- Në një konferencë për shtyp deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka tha se pavarësisht përpjekjeve të Sali Berishës për të blerë dëshmitarë të pucit, ka sot me qindra dëshmitarë të dhunës policore. Dy nga këta, Altin Coca, 38 vjec, dhe Altin Bala, 41 vjeç folën para mediave për dhunën barbare që është ushtruar mbi ta gjatë ndalimit, gjatë shoqërimit për në komisariate si edhe gjatë kohës që kanë qenë në komisariat. Altin Çoça, një invalid dhe epileptik, dëshmoi se është dhunuar në mënyrë të përsëritur nga forcat e rendit e më pas është braktisur nga ata në Spitalin Ushtarak, pa ndjenja. Altin Bala është dhunuar barbarisht gjatë shoqërimit në komisariat e më vonë edhe aty, derisa për shkak të plagëve në kokë është shoqëruar edhe ai në Spital.
Prononcimi i deputetes Olta Xhaçka:
Sali Berisha po përpiqet të rikthejë kohën spiunëve duke paguar dëshmitarë për të provuar atë grushtin imagjinar të shtetit që ka parë në ëndërr Saliu.
Por ka sot me qindra dëshmitarë që kanë gjetur guximin të dëshmojnë për dhunën kriminale që është ushtruar ndaj tyre gjatë arrestimit dhe gjatë qëndrimit nëpër rajone policie. Janë rrahur e torturuar barbarisht nga policë me uniformë dhe banditë me xhinse e xhupa lëkure në shkelje të plotë të çdo ligji.
Kjo është një sjellje e denjë për çdo regjim fashist në botë të cilën ne do ta dokumentojmë për t’i treguar jo vetëm publikut shqiptar por edhe mbarë botës sesi sillet regjimi i Sali Berishës me njerëzit që guxojnë të protestojnë kundër tij.
Prononcimi i Altin Çoça:
Ishim duke ndenjur qetësisht në demonstratë, në atë kohë filluan të na gjuanin. Më rrahu policia, më gjuajti me shkopa dhe me shkelma. I thashë që jam invalid, ata vazhduan të më gjuanin përsëri, derisa më lanë pa ndjenja. Isha gati duke vdekur. Më çuan tek spitali numër 2 dhe më mbajtën 3 ditë aty.
Prononcimi i Altin Bala:
Edhe unë isha në protestë deri në momentin që policia erdhi dhe na sulmoi në mënyrë barbare, na dhunoi, na ofendoi, na shau. Isha në mes të bulevardit, në momentin që erdhën dhe më qëlluan me shkopa gome, me grushta, me shkelma. Brinjët i kam copë, mezi marr frymë. Mbasi më rrahën, më morën nga aty dhe më çuan deri tek trotuari i kryeministrisë, më morrin zvarrë deri atje. Në atë moment dikush tha ngrijeni në këmbë. Më ngritën në këmbë, më kapën nga të dy duart dhe më çuan tek cepi i kryeministrisë. Në atë vend ku ishin mbledhur të gjithë forcat e policisë, u ndanë në dy krahë dhe filluan të njëjtë mënyrë dhunimi me fjalë, me grushta, me shqelma, derisa më çuan në fugon. Fugoni ishte mbushur me disa njerëz, gjatë kohës vinin prapë njerëz, deri momentin e fundit që erdhi dhe Fiqir Xibri të cilin e lanë pa ndjenja aty në tokë. Dola nga fugoni, erdhi dhe një polic tjetër që më ndihmoi për ta futur Fiqiriun në fugon. Më pas na nisën drejt komisariatit. Në komisariat ishte po e njëjta gjë, po e njëjta dhunë. Edhe aty na rrahën, na fyen. Të gjithë njerëzit që vinin i rrihnin. Nga qelia na çuan në spital për tu mjekuar, pasi ishim të gjakosur. Atje pasi u mjekuam, në kushtet më mizerie që mund të mjekohet një njeri, donin që të shkoni prapë në komisariat dhe të jepnim një deklarim. Gjendja ime vazhdon të jetë ende e rëndë, vazhdoj të kem probleme. Jam trup e shpirt i sakatosur.
a.y/NOA