English

Topalli: Puçi i Ramës tregoi se çmenduria dhe dhuna po rrezikojnë vendin

Tiranë, 27 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u takua sot me Zv/ Kryeministrin dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Maltës, z. Tonio Borg. Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, zëvendëskryeministri maltez tha se ardhja në Kuvendin e Shqipërisë, hap një fazë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kurse kryetarja e Kuvendit e informoi Zv. Kryeministrin e Maltës, lidhur me tentativën e dështuar për pushtimin me dhunë të Kryeministrisë dhe përmbysjen e rendit kushtetues në vend, si dhe për masat që janë marrë për përballimin e kësaj situate, ende në vazhdim.

"Tentativa e dështuar e grushtit të shtetit tregoi qartësisht, jo vetëm rrezikun eminent, që i kanoset demokracisë, rendit kushtetues dhe jetës të çdo qytetari, kur çmenduria dhe dhuna bëhen frymëzim dhe axhendë e politikanëve të caktuar, por kjo ngjarje tregoi gjithashtu, në mënyrë të qartë se, vetëm nëpërmjet veprimit të ligjit. pa kompromis dhe pa hezitim, rendi kushtetues triumfon ndaj këtyre kërcënimeve”, - ka thënë Topalli.

Ajo informoi se Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision hetimor, i cili do të investigojë në tërësi veprimtarinë e institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, lidhur me zbatimin e kompetencave të tyre ligjore dhe evidentimin eventual të mungesave dhe mangësive në kuadrin ligjor dhe atë organizativ, si dhe në bashkëveprimin institucional". Kryetarja e Kuvendit, më tej vlerësoi Maltën dhe mbështetjen e autoriteteve të saj, në proceset integruese të Shqipërisë dhe heqjes së vizave me BE.

Kurse Borg siguroi Kryetaren e Kuvendit se, Malta mbetet një vend mik i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar, në reformat për integrim në BE.

e.t/NOA

KOMENTE