Tiranë, 27 janar 2011, NOA- Gjatë konferencës për shtyp, Ministri i Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, bëri të ditura të dhënat e turizmit për vitin e shkuar.
Gjatë fjalës së tij ministri theksoi, se vendin tonë e vizituan rreth 3.5 milion turistë si dhe paraqiti prioritetet edhe për këtë vit në fushën e turizmit.
Një reagim i ashpër erdhi nga kjo ministri edhe për ngjarjet e 21 janarit, ku Xhaferri theksoi se, demonstrata e 21 janarit i dha një goditje të rëndë imazhit që kishte krijuar Shqipëria këto pesë vitet e fundit dhe se Rama i ka hyrë në borxh këtij vendi. “Ky zotëri 1 vit e gjysmë më parë çoi Partinë Socialiste në zgjedhje dhe vetë ngeli në Bashki, muaj më parë futi deputetët socialistë në grevë urie dhe vetë darkonte te restoranti i Fidelit, një javë më parë grumbulloi 300 rrugaçë dhe i futi në një tentativë për puç shteti dhe vetë qëndronte në restorant”, deklaroi ministri.
Xhaferri e cilësoi demonstratën si tentativë të kryetarit të opozitës, Edi Rama, për të marrë pushtetin me dhunë. a.y/NOA