English

Aderholt: Udhëheqësit politikë të zgjedhin dialogun institucional

Oslo, 28 janar 2011, NOA – Kongresmeni amerikan Robert Aderholt ka deklaruar sot se një hetim i plotë i ngjarjeve që ndodhën në 21 janar do të ndihmonte shumë në shmangien e akteve të tjera të dhunshme dhe qetësimin e situatës në vend. Aderhold i bën apel udhëheqësve politikë shqiptarë të zgjedhin rrugën e dialogut në institucionet përkatës për zgjidhjen e krizës politike duke punuar kështu për për të ardhmen e shqiptarëve nëpërmjet dialogut institucional. “Shqipëria mund të ecë përpara drejt integrimit të plotë Evropian vetëm nëpërmjet rikthimit të debatit të qetë politik, tha kongresmeni Aderhold.

Ai theksoi më tej në deklaratën e tij për situatën politike në Shqipëri, se “Unë kundërshtoj çdo përdorim të dhunës kundër institucioneve demokratike dhe legjitime. Demokracisë dhe shtetit ligjor nuk mund t’u shërbehet nëpërmjet dhunës dhe marrja e pushtetit në rrugë nuk është legjitime”, tha ai, duke bërë me dije se “Të gjitha ankesat dhe mosmarrëveshjet duhet të shqyrtohen në institucionet legjitime nëpërmjet dialogut dhe në përputhje me ligjin”.

Sipas Aderholt, Shtetet e Bashkuara janë miq të Shqipërisë.

Ai nëvizoi sakaq se gjatë dekadës së shkuar, Kongresi i SHBA-ve punoi për të siguruar përfshirjen e suksesshme të Shqipërisë në Aleancën e NATO-s. Ndërkohë Aderhold tha se vetë ai kishte mbështetur Shqipërinë dhe përpjekjet e popullit shqiptar për forcimin e institucionit demokratik dhe aderimin në shtetin ligjor.

Kongresmeni Robert Aderhold ka punuar me çështje të paqes ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, për më se një dekadë.

Në Korrik, Kongresmeni Aderholt u rizgjodh Zëvendëskryetar i Komisionit të Përgjithshëm për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Humanitare gjatë Sesionit të 19-të të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Oslo të Norvegjisë.

mit/NOA

KOMENTE