Tiranë, 28 janar, NOA – “Do të mbetem në këtë zyrë për të evituar një rrezik të ngjashëm. Edi Rama, kreu i opozitës, të premten e kaluar për pesë orë rresht ka drejtuar sulmin dhe jo në mes të natës, por në mes të ditës. Kemi shkatërruar një grusht shteti që parashikonte pushtimin e godinës qeveritare, parlamentit dhe televizionit shtetëror. Policia ka bërë një punë heroike, të jashtëzakonshme. Ka evituar një masakër”.
Kjo ka qenë vetëm njëra nga deklaratat e bëra prej kryeministrit Berisha për të përditshmen italiane “La Repubblica”, gjatë një interviste të posaçme mbi situatën e krijuar gjatë dhe pas 21 Janarit në Shqipëri.
Ai ka shtuar më tej se "e gjithë bota e pa se çfarë ndodhi më 21 Janar. Opozita e transformoi një manifestim proteste në një sulm të paramenduar, me qëllimin për të marrë pushtetin me dhunë”, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit Daniele Mastrogiacomo.
Më tej, pyetjes së radhës se si u vranë në të vërtetë tre persona gjatë kësaj demonstrate, Berisha i është përgjigjur duke thënë se hetimet do të përcaktojnë se kush qëlloi. “Dhjetëra njerëz të armatosur nga videot janë vënë re me armë në mesin e protestuesve. Nuk bëhet fjalë për provokim. Plani përfshinte një fazë A dhe një fazë B, në kohë të paramenduara. Por përpjekja dështoi", ka pohuar ai.
Duke përfunduar se fakti që gjithçka ishte e paramenduar, duket në disa gjëra.
“Unë i vë ato në radhë. Demonstrata, të vrarët dhe të plagosurit, ndërhyrja e Prokurorisë së Përgjithshme e cila lë pa mbrojtje institucionet, shërbimet inteligjente shqiptare që ditën e demonstratës i thanë policisë se nuk paraqiteshin sinjale tensioni apo rreziku” ...
n.e/NOA
Linku i intervistës:
http://www.repubblica.it/esteri/2011/01/25/news/berisha_ho_sventato_un_golpe_difender_la_libert_dell_albania-11620950/index.html?ref=search