Tiranë, 28 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana – “Tensionet e vazhdueshme mund të kenë mbi arritjet aktuale të vendit, mbi mjedisin e biznesit si dhe mbi zhvillimin e ardhshëm e të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor”.
Paralajmërimi është bërë sonte në një deklaratë të përbashkët të partnerëve për zhvillim dhe integrim në Shqipëri ku pohohet se janë ndjekur “me dhimbje të thellë dhe me shqetësim në rritje ngjarjet e fundit tragjike që ndodhën në Tiranë si dhe rritjen e tensionit politik në vend”.
Mjafton të kujtojmë progresin e madh që Shqipëria ka bërë gjatë dekadës së kaluar, vëren deklarata dhe shton: “Rritja ekonomike impresionuese e ka çuar vendin drejt një ekonomie me të ardhura të mesme të larta, ku ekonomia ka treguar elasticitet ndaj krizës financiare globale të kohëve të fundit. Përpjekjet e qeverive të njëpasnjëshme kanë pasur sukses në reduktimin e dukshëm të varfërisë si dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike, të cilat janë të rëndësishme për biznesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik”.
Si partnerë afatgjatë të Shqipërisë që kemi mbështetur përpjekjet e zhvillimit të vendit si dhe rrugën e ndjekur drejt integrimit evropian do të dëshironim të shprehim shqetësimin tonë serioz lidhur me ndikimin negativ që tensionet e vazhdueshme mund të kenë mbi arritjet aktuale të vendit, mbi mjedisin e biznesit si dhe mbi zhvillimin e ardhshëm e të qëndrueshëm ekonomik dhe njerëzor, - vijon deklarata që po publikojmë të plotë.
Shqiptarët i pret një axhendë e rëndësishme. Duhet të shfrytëzohen burimet e rritjes për ta mbajtur ekonominë sa më konkurruese në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të vështirë, për ta bërë vendin sa më tërheqës për investimet e huaja, për të hapur mundësi të reja punësimi në vend, si dhe për të rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
“Ne, si partnerë për zhvillim dhe integrim, jemi të angazhuar të ndihmojmë Shqipërinë që të ecë përpara në realizimin e kësaj agjendë sfiduese. Ne u bëjmë apel të gjithë homologëve tanë, udhëheqësve politikë si dhe qytetarëve të Shqipërisë që të punojnë së bashku për një të ardhme sa më të mirë për vendin e tyre”, - përmbyllet deklarata e posaçme e nënshkruar nga institucionet e mëposhtme:
Ambasada e Italisë - Zyra për Zhvillim dhe Bashkëpunim
Ambasada Franceze
Ambasada Hungareze
Ambasada Gjermane
Ambasada e Mbretërisë së Hollandës
Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë
Ambasada e Suedisë
IOM
PNUD
Zyra e Bankës Botërore në Tiranë
Zyra e Bashkëpunimit Zviceran
Zyra e JICA në Tiranë
Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë