Tiranë, 28 janar 2011, NOA/ Irma Toptani – Gjithçka duket të jetë gati për demonstratën homazh të opozitës ndaj tre viktimave të 21 janarit që do të zhvillohet pas pak minutash në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ndryshe nga ajo e 21 janarit, kjo demonstratë do të drejtohet nga krerët e opozitës dhe lideri i saj Edi Rama, të cilët do të vihen në krye të kortezhit të zisë për të përkujtuar në ditën e të shtatave tre demonstruesit e vrarë me armë zjarrin pranë derës së kryeministrisë.
Pikërisht në vendin ku u këputën të pajetë demonstruesit janë vendosur tre postera me që tregojnë fytyrat e tre protestuesve, të cilët ditën e fundit të jetës patën për fat të keq, 21 janarin.
Duke qenë se demonstrata e shkuar degjeneroi në akte dhune ndaj Policisë së Shtetit pikërisht në hyrje të kryeministrisë, selia e qeverisë është tërësisht e blinduar, me tri radhë kordon Policësh, të cilët mbrojnë institucionin e qeverisë, edhe pse manifestimi është paralajmëruar se do të jetë i qetë dhe në shenjë zie për tre demonstruesit.
Vetë kryeministri Berisha deklaroi se ai do të jetë gjatë tërë protestës në zyrën e tij, ashtu sikundër bëri edhe të premten e kaluar, kur para ndërtesës së kryeministrisë disa dhjetëra protestues kryen akte dhune ndaj forcave të rendit dhe më pas tre prej tyre u vranë gati gati në mbyllje të protestës.
Lidershipi i opozitës Edi Rama dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës janë tashmë në selinë rozë, dhe pak më pas do t’i bashkëngjiten në orën 14 demonstratës homazh, për të cilën qytetarët do të vijnë nga disa rrugë të kryeqytetit për t’iu bashkuar kortezhit të madh në bulevard.
mit/NOA