English

Opozita, do tubohet sot sërish në bulevard

Tiranë, 28 janar, NOA – Një javë pas demonstratës së dhunshme të 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe plagosur mjaft të tjerë, opozita ka paralajmëruar sot sërish mbajtjen e një tubimi të mbështetësve të saj në bulevardin kryesor të vendit, “Dëshmorët e kombit”.

Një nismë e tillë është ndërmarrë megjithë kundërshtimin e hapur të ndërkombëtarëve për të kryer sërish tubime apo protesta, në një situatë aspak të qetë siç e kanë vlerësuar atë të krijuar në vend pas së premtes së kaluar.

Ndërkaq, policia e Tiranës nga ana e saj ka pohuar dje përmes një deklarate për shtyp, se nuk mund të dalë garante për sigurinë gjatë kësaj proteste, duke kërkuar mirëkuptimin nga ana e të gjithë qytetarëve.

Kjo pasi javën e kaluar, të gjithë e panë, sesi degjeneroi me një dhunë të ashpër demonstrata e paralajmëruar e opozitës, kundër forcave të rendit, të cilat ishin në krye të detyrës duke mbrojtur institucionin e Kryeministrisë.

Por opozita nga ana e saj ka garantuar ditën e djeshme se do të ruajë qetësinë në tubimin e sotëm dhe se ai do të ketë një shenjë homazhi për të rënët në demonstratën e një jave më parë.

Më tej ajo ka thënë se mjetet që do të përdorë gjatë kësaj demonstrate do të jenë qirinjtë dhe lulet, e aspak mjete të dhunshme.

n.e/NOA

KOMENTE