Shkup, 28 janar, NOA - Pozita dhe opozita në Maqedoni nuk shohin mundësinë e një skenari tunizian në Maqedoni, pas valës së protestave.
Ditëve të fundit janë shpeshtuar protestat e kategorive të ndryshme të të pakënaqura të qytetarëve si punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara, kultivuesit e duhanit, profesorët universitar, mjekët, por qëllimi i tyre nuk ka të bëjë sipas analistëve për rrëzimin e Qeverisë, por për zgjidhjen e problemeve dhe statusit të tyre.
Deputeti i koalicionit me VMRO-DPMNE në pushtet dhe ish-ministri i brendshëm, Pavle Trajanov vlerëson se është i pamundur skenari për rrëzimin me dhunë të Qeverisë së zgjedhur në mënyrë legale, e cila sipas tij, gëzon mbështetje të madhe tek elektorati.
“Unë personalisht nuk pres që të ketë tentime të tilla dhe që do të marrin mbështetjen e opozitës për rrëzimin e pushtetit aktual. Hyjmë në një vit parazgjedhor dhe mendojnë se zgjedhjet janë ato ku mund të ballafaqohen programet dhe konkurrenca politike”, theksoi Trajanov.
Nënkryetari i partisë opozitare LSDM, Gordan Georgiev thekson për “Evropën e Lirë” se pushteti po provokon dhe shkakton incidente.
“LSDM nuk është parti që mendon për gjëra të tillë dhe nuk dëshirojmë as të mendojmë për një skenarë të tillë tunizian, për të cilin nuk besojmë”, theksoi Georgiev.
Deputetja dhe nënkryetarja e DR-së, Flora Kadriu theksoi se qytetarët janë të pakënaqur nga politika e gabuara të koalicionit qeveritar.
“Nuk besoj se ka qytetarë që dëshiron një skenar tunizian, andaj edhe mund të them se ka ndonjë subjekt që do të mbështes një skenar të tillë. DR nuk i takon këtyre subjekteve që do të shfrytëzonte skenare të tilla të dhunës për të ardhur në pushtet”, theksoi Flora Kadriu.
Deputeti i BDI-së, Tahir Hani shtoi se të gjithë qytetarët e pakënaqur kanë të drejtën demokratike për të protestuar dhe të kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre.
“Se a ka mundësi të tilla që në Maqedoni të kemi protesta të dhunshme, për këtë askush nuk mund të parashikojë. Por do të dua të theksoj se çdokush duhet të jetë i kujdesshëm dhe të shfrytëzojë mjetet demokratike në një shoqëri të tillë demokratike”, theksoi deputeti Hani.
Lidhur me protestat e fundit, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski akuzoi se pas gjitha protestave të këtij muaji ekziston si organizatore opozita maqedonase.
NOA-INA